Universi krijues i prof. Prend Buzhalës në faqet e një libri

Kultura

Universi krijues i prof. Prend Buzhalës në faqet e një libri

Nga: Vlash Prendi Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 18:03
Foto

Të shkruash për prof. Prend Buzhalën, autor i një biblioteke të tërë më vepra të gjinive të ndryshme, është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Është e lehtë, sepse biografi i njohur prof. Mikel Gojani, autori i monografisë qe promovojmë sot, e ka njohur, ka jetuar në epokën e tij dhe ka studiuar veprën e tij letrare dhe studimore. Është e vështirë, sepse poeti, shkrimtari, analisti dhe kritiku i letersisë prof. Prend Buzhala, hyn me dinjitet në radhën e shkrimtarëve filozofë, qe i mungojnë sot letёrsisë sonë. Shkurt, profesori ynë shkruan dhe levron një letersi të vëҫantë duke zotëruar një kulturë letrare, studimore      

MIKEL GOJANI poliedrike dhe gjithpёrfshirёse. Prof. Prend Buzhala sapo ka festuar 70 vjetorin e lindjes, prandaj kjo vepёr monumentale e prof. Gojanit ёshtё dhurata mё e ҫmuar pёr jetёn dhe krijimtarinё e tij letrare dhe studimore.

Monografia e prof. Mikel Gojanit "Veҫanti të veprës letrare dhe studimore të Prend Buzhalës", është padyshim një kontribut tjetër i mendimit intelektual, vështrimit historik, pikëpamjes dhe mendimit kritik, të poetit, ktitikut dhe shkrimtarit, Gojani. Autor i shumë veprave poetike, letrare dhe studimore, del para lexuesit edhe me këtë vepër monografike, si kurdoherë me veprat e tij në këtë fushë, i arrirë, përmbledhës, i veçantë dhe i shumё lexuar. Pas veprave për veprimtarin e shquar Marjan Cubi, mësuesin e talentuar Frrok Gojani dhe monografisë për z. Vera Gojani, fisniken e paharruar,  vepra kushtuar jetës dhe aktivitetit letrar dhe studimor kushtuar prof. Prend Buzhalës, është një finalizim i bukur i këtij korpusi monografik, që me siguri tek lexuesi shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk do mbetet pa jehonë, madje kjo monografi, për një personalitet aq të njohur të kulturës dhe letersisë shqiptare mbarëkombëtare dhe më gjërë. Kjo monografi është disi më e veçantë për materialin e shfrytëzuar, brendinë e thellё, kualitetin e lartё të tё shprehurit letraro - artistik, analizёs studimore, seleksionimin e materialit burimorё dhe vizionin konceptual të strukturimit të veprës. Nisur nga botimet e mëparshme të autorit, them me bindje, se ai ka ditur të veçojë në këtë vepër momentet kryesore të jetës plot vështirësi dhe mundime të krijuesit të njohur, ndoshta duke provokuar edhe polemika të nivelit intelektual e shkencor, përmes të vërtetave historike.

Në këtë vëpër, shkrimtari i shquar Mikel Gojani si në një film me metrazh të gjatë, na ka shpalosur momentet më pikante të jetës dhe veprimtarisë letrare dhe studimore të prof. Buzhalës, qe nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Kësisoj, vepra shërben edhe si një aktakuzë e rëndë ndaj padrejtësive dhe terrorit që ushtroi sistemi shovinist jugosllav ndaj kësaj figure të shquar të letёrsisë dhe atdhetarisë shqiptare. Tronditëse janë zhgënjimet e rënda që provoi shkrimtari i shquar gjatë viteve të luftës në Kosovë, kur në moshën 30 vjeҫare arrestohet dhe detyrohet me dhunë të heqë dorë nga pasioni dhe dëshira për të shkruar…por jo. Ai nuk e la kurrë lapsin mënjëanë, por shkroi më me vrullë dhe dëshirë, për t’i dhënë popullit kosovarë vepra të reja edhe më të bukura. Me botimin e monografisë "Veҫanti të veprës letrare dhe studimore të Prend Buzhalës", autori Gojani, arrin pikën kulmore të asaj lënde që ka hulumtuar dhe studiuar me kujdes dhe është përfshirë brenda kësaj vepre, duke i bërë me dije lexuesit, jo vetëm numrin e shumtë të veprave të shkrimtarit të njohur, por edhe idetë që pasqyron përmes veprës së tij, motivet e krijimit, vlerat artistike dhe edukative të saj, pikërisht këtë synon shkrimtari i shquar Mikel Gojani t'ia ofrojë lexuesit dhe ia ka arritur qёllimit me sukses. E tërë lënda, është e zgjedhur dhe e përzgjedhur nga kritere të mirëfillta letrare dhe studimore, që në tërësi përbën një prezantim dinjitoz të veprës së  studiuesit të nderuar, i cili edhe sot në moshën 70 vjeҫare po mban gjallë botën letrare me veprat e tij. Nisur nga larmia e zhanreve të ndryshme që ka praktikuar prof. Prendi, nga poezia, proza e gjatë dhe e shkurtër, kritika letrare dhe filozofike,  polemika për çështje të veçanta, çështje me tematikë letraro - psikologjike, analiza dhe veçime nga letërsia shqiptare dhe më gjërë, por edhe autorë e figura të letërsisë, publicistikës dhe jetës publike shqiptare, që në forma të ndryshme, kanë shënuar arritje të konsiderueshme në jetën publike dhe letersinë shqiptare, arrijmё nё pёrfundimin se veprimtaria e tij letrare ёshtё shumёplanshe. Me këtë vepër diktohet arritja e rëndësishme e autorit, që ka arritur të seleksionojë materiale dokumentarё, me vlera të padiskutueshme pёr çështje letrare dhe biografike që shёnjojnë nivele të larta në botën e letersisë, artit dhe kulturës shqiptare dhe këtë prof. Mikeli  arrinë ta bëjë me sukses, me një shije të hollë letrare dhe tejet emocionale. Me zellin dhe sensin e tij prej studiuesi të kujdesshëm, pothuajse i bën paraqitje pikante mendimit konkret dhe analizës artistike, prezentimit të figurës prej kolosi, vështrimit teoriko - letrar, krijimit të veprës sё shumgjinishe, debatit të frytshëm për të mbrojtur interesat kombëtare, recensionit letrarё dhe shtjellimeve tematike, që ngrihen brenda vështrimeve pёrmbajtёsore dhe tematikës në këtë vepër të bukur monografike. 

Prof. Prend Buzhala është një intelektual që luftën për çlirimin kombëtar e ka zhvilluar në dy fusha: Përmes shkrimeve letrare dhe patriotike, ku ka shprehur dashurinë e flaktë për atdheun dhe bisedave në rrethe të ngushta e herë - herë të zgjeruara, duke u kthyer shpesh në një misionar, jo vetëm i pajtimit, por edhe i ҫështjes mbarëkombëtare. Në këtë kontekst, prof. Prendi do të jetë shumë i suksesshëm në krijimtarinë artistike, pasi siҫ na bën me dije edhe autori i monografisë prof. Mikel, ai mund të radhitët si ndër poetët më të spikatur bashkëkohorë shqiptarë dhe si një studiues mjaft i dalluar i letërsisë sonë. Në autorësinë e tij, sot numërohen mbi 85 vepra studimore dhe letrare, ka përgatitur edhe rreth 15 vepra e përmbledhje për të tjerë shkrimtarë e krijues. Kjo punë kolosale përbёn një korpus tё gjёrё letrarё dhe kulturorë që hyn me dinjitet në panteonin e letersisë mbarëkombëtarë shqiptare. Nga dora e tij e palodhur, sot numrohen mbi 650 njësi bibliografike dhe referenca shkencore ku mund të gjejmë: recensione, ese, kritika, trajtesa, studime, polemika dhe shkrime të tjera publicistike, qe janë një tregues mjaft pozitiv, që tregojnë se Prof. Prend Buzhala ka një opus mjaft të gjerë krijues. Poezitë dhe shkrimet letrare të shkrimtarit Prend Buzhala, për vlerat qe kanë dhe mesazhet që përcjellin tek lexuesi janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të ndryshme. 

Përmes një vështrimi dhe përshkrimi mjaft tërheqës dhe me shije letrare, prof. Gojani  paraqet shkurt historinë e veprimtarisë së prof. Prendit edhe në veprimtari të ndryshme kulturore dhe letrare duke dhёnё kёshtu njё kontribut tё shquar nё pёrhapjen e kulturёs dhe letersisё tek brezat e ardhshёm. Ai është themelues i klubeve letrare në shkollën “Zenel Hajdini”, ngriti grupin letrar “Jeronim de Rada”, grupin “Jehona e Dukagjinit”, si dhe themeloi revistat letrare dhe kulturore “Synimet”, “Ylli” dhe “Jehona e Dukagjinit”, duke relizuar më së miri synimin e madh, për të edukuar masat me ndjenjën kombëtarë dhe dashurinë për atdheun. Në këtë monografi ndërthuren bukur përshkrimet historike me ata letrare dhe biografike, gjithçka parashtrohet mbi bazën e fakteve, shënimeve historike krahasuese dhe kulmon me argumente për ngjarje, vende dhe periudha historike që lidhen me vendlindjen e autorit, aktivitetin e tij të dendur patriotiko – letrar, pёr Kosovën tonë të dashur.

Nën sundimin e penës së Prof. Mikelit, përshkruhen detaje mbi zhvillimin e vrullshëm të jetës dhe veprës së prof. Prendit, këtij korifeu të letersisë shqipe, i cili gjatë viteve 1970 – ’80 u përball me masa ndëshkuese dhe repressive personale dhe familjare nga regjimi gjakatar shovinist serb. Madje me 26 mars të vitit 1982 u arrestua dhe u dënua, iu ndalua e drejta e krijimit dhe botimit dhe shume masa të tjera që synonin diskriminimin e figurës së pastër të kёtij krijuesi me vlera historike. Por të bën përshtypje fakti se autori nuk është thjeshtë një soditës i rëndomёt, një vizitor i rastësishëm në historinë e jetës dhe veprës së Prof Prendit, por një shkrimtar i shquar, autor i rreh 38 veprave letrare dhe studimore, që di të flasë, të vlerësojë, të analizojë faktet historike, të japë dhe të marrë përvoja pozitive nga shkrimtari i talentuar dhe këtë përvojë të bukur ta transmetojë përmes kësaj monografie edhe tek lexuesi i thjeshtë. Dhe këtë e arrin me anë të përshkrimeve emocionale, bisedave mbreslënëse me prof. Prendin, me ish nxënësit dhe kolegët e tij dhe përmes diskutimeve me njerëz të arsimit dhe me bashkëqytetarët e tij. Përmes këtij libri, lexuesit dhe brezat qe do të vijnë, kanë ç’të mësojnë, kanë ç’të korrigjojnë pёr tё ardhmen, kanë ku të motivohen për të ecur përpara.

Bazuar në veprimtarinë kombëtare, letrare dhe studimore të prof. Prend Buzhalës, të krijohet përshtypja se ke të bësh me një rilindas të kohës sonë, njё pasardhës i denjë i Naimit, Mjedës, Migjenit, Konicёs. Studiuesit e sotëm të letërsisë shqiptare – ata që ligjërojnë ose krijojnë në fushën e letersisë dhe kritikës, mund dhe duhet të mësojnë nga jeta, krijimtaria dhe pёrvoja tepёr e pasur e prof. Buzhalës. Për të qenë realë, duhet të theksojmë se me këtë monografi, shkrimtari Mikel Gojani ka pasuruar edhe më shumë arkivin e tij krijues, sidomos në fushën e monografisë, duke e bërë tematikën e krijimeve të tij mjaft interesante dhe të larmishme. Kur kolosi shkruan për kolosin e letrave shqipe, siҫ është prof. Prendi, vepra ndërtohet mbi fakte origjinale, ku alternohen bukur fakti historik me imagjinatën krijuese të autorit, ngjarja me realitetin, kujtimi me mbresat, e kaluara me të sotmen, analiza me deduksionin letrar. Kështu edhe prof. Mikeli gjurmoi ngjarje nga jete e shkrimtarit të madh dhe i seleksionoi, shkëputi episode jetësore dhe i analizoi, mori mbresa dhe i gjykoi, bëri analiza dhe pastaj nxori konkluzione të përmbledhura në rreth 280 faqe libёr. Siҫ shihet, objekt i kësaj monografie është jeta dhe veprimtaria e njё fenomeni nё letёrsinё shqipe, i cili është trajtuar si individualitet i papërseritshëm, por edhe si produkt i rrethanave historike që imponoi koha, i cili pati si synim në jetë, luftën për liri dhe dashurinë për atdheun. Kjo është një arritje e madhe për autorin, qe pati përgjegjësinë shoqërore që prof. Buzhalës t’i kthehet një borxh, që nuk kanë mundur t’ja kthejnë autoritetet shtetёrore dhe shoqëria e sotme.

Para 5 vjetësh, një miku im me rekomandoi të lexoja disa libra të prof. Prendit. Ai sapo ishte kthyer nga një vizitë në Kosovë dhe kishte dëgjuar për aktivitetin e tij letrar. Sigurova disa vepra të profesorit dhe u binda se ishte një shkrimtar me vlera të veҫanta, mendova tё njihet jata dhe veprimtaria e tij letrare edhe nё Shqipёri, prandaj aso kohe pёrgatita një shkrim të konsiderueshëm për veprën e tij dhe e botova në gazetën Rilindasi, rubrikë letrare e gazetës së njohur Shqiptarja.com të datës 05.07. 2016. Kjo, në shenjë respekti dhe mirënjohje për punën e palodhur dhe veprën e tij. Historia e jetës dhe veprës së shkrimtarit dhe studiuesit tonë të shquar Prend Buzhala, ashtu siҫ e thekson fuqishëm autori, është filozofia e luftës ndaj padrejtësive shoqërore dhe triumfit që ka e vërteta historike mbi gënjeshtrën, drita e lirisë mbi errësirën shekullore, mendimi i lirë mbi diktaturën mizore. Prof. Prend Buzhalën e kritikuan, e mallkuan shovinistët e pabesë, e përbuzën, e burgosën, kur shkrimtari po punonte dhe luftonte për të drejtat dhe liritë e popullit të tij, të lodhur nga padrejtësitë, sepse Brehti ka thënë: “Nëse ne luftuam dhe u mundëm prej padrejtësisë, kjo nuk do të thotë se padrejtësia paska të drejtë”. Në këtë monografi historike, prof. Mikel Gojani ka dhënë një ndihmesë mjaft të shquar  për nxjerrjen në dritë të shumë të vërtetave për jetën dhe veprën e shkrimtarit tonë të madh, prof. Prend Buzhalës. Libri në fjalë do të shërbejë si një vlerë shpirtërore në nderim të kësaj figure të shquar të letrave shqipe, i cili gjatë gjithë jetës së tij ishte dhe vazhdon të mbetet shkrimtar i lirisë, mësues i të drejtës, njeri i së vërtetës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat