Libri ,,Panteoni i fjalës” i autorit Xheladin Mjeku, në fushën e kritikës letrare vjen në vazhdën e serisë së librave që ky shkrimtar ka botuar në prozë dhe poezi, por që vokacioni i tij në fushën e kritikës dallohet si një nga kritikët më të mirë të letërsisë së sotme shqipe. Janë dyzetë vite krijimtari letrare të poetit e kritikut letrar Xheladin Mjeku, i cili në këtë fund vit u sjell lexuesve një dhuratë të çmueshme, librin me recensione e vështrime ku ka bërë vrojtimin e krijimtarisë letrare të dyzetë poetëve e poeteve.
Përzgjedhja e numrit 40 mbase ka edhe simboliken e vetë të veprimtarisë krijuese prej katër dekadash të autorit, por për lexuesin kanë rëndësi vlerat e veçanta që prezantohen në këtë libër. Autori i librit në pikiatën e këndvështrimeve të tij ka përzgjedhur poetë të moshave të ndryshme por që emblemë të përbashkët kanë cilësinë dhe vlerat artistike që ofrojnë.
I vetëdijshëm se vlerësimi kërkon njohuri dhe komponentë të veçanta, Mjeku u bënë analiza të hollësishme këtyre veprave duke analizuar në detaje, duke shtrydhur në tërësi lëndën e marr në shqyrtim. Autori ka një qasje serioze, andaj nuk rresht së kërkuari duke përimtuar akëcilin libër për të nxjerr në sipërfaqe thelbin e vlerave dhe mesazhet. Ai merret me studimin e stileve të gjuhës së përdorur në vepër, figurave stilistike dhe elementeve tjera që karakterizojnë një vepër të mirë.
Duke përzgjedhur rendin alfabetik ka rastisur që në fillesë të librit të ,,gjurmoj" në poezinë e Adem Gashit një prej krijuesve më të mirë të poezisë së sotme shqipe jo vetëm në aspektin sasior por edhe cilësor. Orbita gjeografike përfshinë krijues nga gjithë hapësira shqiptare dhe diaspora. Në libër përfshihen shumë emra poetesh, njëmbëdhjetë syresh që sot nuk janë më në jetë, por që kanē lënë gjurmë të pashlyeshme në poezinë shqipe, si: Ali Podrimja, Agim Mato, Agim Spahiu, Beqir Musliu, Dritëro Agolli, Fazli Greiqevci, Fredrik Reshpja, Hasan Hasani, Havzi Nela, Latif Berisha e Milaim Berisha. Po ashtu në libër defilojnë edhe poetë që tashmë shquhen për individualitetin krijues si: Agim Vinca, Visar Zhiti,Hamit Aliaj, Sabit Rrustemi, Fatmir Terziu, Nase Jani, Nexhat Rexha, Bedri Halimi, Brahim Avdyli, Suzana Zisi, Nebih Bunjaku,Timo Merkuri, Rizah Sheqiri, Vladimir Muça, Izet Abdyli, Mustafë Hoxha e Zejnepe Rexhepi.
Autori i librit ka shprushur edhe në krijimtarinë e gjeneratës së re duke ndërlidhur kështu krijimtarinë e brezave si: Alisa Velaj,Ardita Jatru, Vera Istrefaj, Erëmira Jusufi, Arqile Gjata, Kaltrina Hoti e Natasha Xhelili. Në përgjithësi përgatitja e këtij libri shquhet edhe për finesa të veçanta siç janë foto e çdo autori të librit dhe ballina e librit që e pasurojnë edhe me detaje të rëndësishme që janë me vlerë për bibliografinë e një libri.
Duke qenë në cilësinë e redaktorit që në ngjizje të idesë se këtij libri, nuk kam si të fsheh ndjesinë që finalizimi i këtij libri më ka sjell kënaqësi të veçantë falë bashkëpunimit të sinqertë dhe punës me përkushtim të autorit. Xheladini ka edhe një serë shkrimesh për libra të tjerë dhe ky libër është vetëm fillimi i kolanës së librave me vështrime kritike.