Edicioni i 10-të i FemArt, do të mbahet nga 14 dhe 23 qershor 2022, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare bashkohen sërish në festivalin e parë feminist në Kosovë e më të madhin në rajon.
Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” FemArt 10 për dhjetë ditë me radhë shpërfaqë aftësitë e grave dhe burrave artistë dhe aktivistë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqe.
Hapja e edicionit të dhjetë do të bëhet me shfaqjen premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar" nga ora 20:00-21:30 me autore Shqipe Malushi, regji të Zana Hoxha. Kurse mbyllja e festivalit FemArt do të jetë me Flamenko Baletin “Luxuria” nga Barcelona me regji të David Gutiérrez Molina dhe Paula Sánchez Reyes, më 23 Qershor, 2022 nga ora 21:30 - 23:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Festivali mbledhë për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes veprave artistike nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Portugalia, Spanja, Izraeli, Ishujt Reunion, Italia dhe Franca, thuhet në një njoftim të organizatës Artpolis.