Protestë
për ty poezi
Apo jam unë Jan Pallahu
E di që je e ngritur lart poezi
Së bashku me yjet shkëlqeni
Mijëra herë të kam shkrue në ditë
Edhe mijëra herë të kam shlye
Kurrë nuk u bëre pjesë e shpirtit
Më u shndrrue në fjalë të zemrës
Ndoshta ëndërr të kam zbritë pranë
Të kam përqafue si fëmiun tim
E di se diçka kemi belbëzue mes veti
Nuk e di nëse isha ëndërr
Apo ti ishe ëndrra ime
Kur të pash e mbështjellur me gjethe trëndafili
Ishe bërë nusja ma e mirë e lagjes sime
E qytetit tim milionësh
Më dukej se ia harrove princit dorën
Kur ti sërish u ngrite për t'u ngroh pranë diellit
E di që dielli nuk më ngroh mua pa qenë ti aty
Me tërë botën jam fjalos për ty
Zoti më çoj fuqinë e guximin
Të dyluftoj fyt për fyt me demonët
Eh,sot pas dymijë viteve ta them
Fshehurazi të kam zbritë në tokë
Të kam vjedhur dritareve të ëndrrave të agimit
Zemra të ka kërkue më qenë jeta e saj
Ndonjëherë më i shërue plagët e shpirtit
Sërish të ngrita mbi yje aty ku të mora
Nëse i harron ata që të ngritën e të zbritën
Ferri i Dantes do të djeg në furrë të druve
Sikur dikur Xhordano Brunen
Ndërsa unë protestoj për ikjen tënde si Jon Pallahu
Në mes të dritës së diellit të bëhem shkrumë e hi
Që ti poezi të rron në secilën dashuri
Edhe atëherë kur toka ka etje
Ti shuaje etjen e saj
Edhe atëherë kur njeriu s'ka ëndrra
Ti bëhu ëndrra e tij.