Nata
udhëton nëpër shkëmbinj të thepisur
si një bollëk e zezë me sy të çapëlyer
Duke nxjerr nga goja jargë dhe zjarr
që krijojnë përrenj të rrëmbyer…
Shkëmbinjtë rënkojnë…
Shkëmb…dhe natë…natë e pafund…natë që vret…
gremina skërmit dhëmbët
syrin e kuq ja shkel vdekjes…
nga pas…
armatosur me shpata
dhe heshta të mprehta
si dhëmbë vampiri gatë për të shqyer…
në ndjekje …
ushtarët - qe’ç të lodhur motit
dihasin… vraponjnë…dihasin…
në parmendën e kalbur perandorake
djegur për ujë
komandantët barkfryrë
prisnin të arrinin në çadrën e tyre konkubinat
para se të lindte dielli
Fati i tyre i prerë…
nga para humnerë e thellë
nga pas përjetësisht robina
Poshtë
në vend të ujit
nëpër honet e thella
loti bie dhe dieg
bie dhe ngre dallgë dhimbje
Të nëntëdhjeta
jo tetëdhjetë e nëntë
as nëntëdhjetë plus një…
Më shumë i tremb robëria
sesa e thella, greminë
që pret gojëhapur
nëntëdhjetë sorkadhe krutane…
II
Nga maja e malit as yll, as hënë as dritë
dielli ende është larg, larg,
larg, sa ndoshta nuk do të lidë kurrë!
Larg është dhe hëna dhe ylli këtë natë
Shkëmbinj e thepisur në shpat heshtin…
Gryka e shkallës ushton
Dhe sjellë
Bashkë me dhimbjen e madhe
Murrlanin,furtunën, dhimbjen.
Ushton
e, nuk dihet, se do të pushojë ndonjëherë.
Zemra vajzave rreh
thyen heshtjen e akullt
të asajë nate të shtatëmbëdhjetë qershori
kur dita mundohet të lindë
mes dhimbjeve të egra
Mes rënkimesh pa zë
Mes psherëtimash
Që nuk dijnë kë të vajtojnë më parë
Kryetrimin që s'është
Apo bijat që….
Ndërsa gryka e thellë
Në errësirën e pafund
më kot i lutet diellit
të lindë për Krujën e martire
dhe të sjellë
pak ngrohtësi…pak shpresë.
Të sjellë dritën
Sa për të parë rrugën e dhimbjes
Nga shkuan drejtë përjetësisë…
Dhemb shpirti i greminës së thellë
ndërsa shpirti i pushtuesit
çfryn zjarr dhe urrejtje
ndjek “Lulen mos më prek” të Krujës
III
Ah moj natë e akullt qershori
Që mbi Krujë solle furtunë
Zogu i qyqes nuk di ku të ndalet
Kujt më parë t'ja thotë dy fjal
S’din ç'të qajë më parë e mjera
Zjarri e tymi e kanë mbuluar
Kush do të hapë varre për trimat
Kush do të mbledhë vashat në greminë
Nënave kush do u gjendet pranë?
&&&&&&
Kulla e lartë mbi kështjellë
perëndimin sheh që hesht
pas një gjetheje qëndron fshehur
kokën në rërë futur si struci
si kërmilli në guaskë të vet
Me gjysmë zëri mezi lutet
Ishalla turku këtu s’po vjen
Ishalla turku s’më sulmon
Ishalla mua nuk më pushton…
Kulla sheh dhe i bën zë
Mos më rri si mace rreth hirit
Mos u dridh si gjeth nga era
Ku e ke fjalën që i pate dhën tirmit?
Turku sot po më dhunon varret
prite nesër para se të zbardhet…
Prit tek dera se po të vjen
&&&&&
Pontifikati shumë po tutet
Kërkon Barbo vend ku të struket
Përpllitet si zorra në prush
Kërkon ndihmë, se dëgjon kush
Perëndimi veç përgjumet
Krimbi në zemër i ka hy
Njëri pret e tjetri shtyn
Venedik, Firencë e Romë,
Njëri tjetrit s'ja lëshojnë rrugën
Duan secili me dalë në krye
S’duan me turkun në luftë me hyrë
S’hapin rrugën, nuk gjejnë fjalën
Para vetes nuk njohin papën…
&&&&
Puth Fatiu të ftohtën shpatë
Në Stamboll heq vija në hartë
Tash që Krujën e pushtova
Mbi Evropë ngre gjysmëhënën
Gjithë Evropa nën këmbët e mia
Nga Ballkani në Ingliterrë
Frikë e gjak kudo të mbjellë
&&&&
Ç’katrahurë, ç’katrahurë…
Shkëmb e gurë, shkëmb e gurë
Tokë e qiell, qiell dhe tokë
Deti ngrihet e shkumëzon
Gjëmon gryka dhe ushton
Ku lind dielli dhe perëndon
Bota zien, bota rënkon
Kush nuk flet as nuk guxon
Nëpër grykë lumi i rrëmbyer
Bie në shkëmb dhe ulërin,
gryka qan gryka ushton
Se lubia në këtë stuhi
Gjithë Evropën do të përpijë
S’dalen bishat në furtunë
Skërmitin dhëmbët, hungërij
Sytë skuqur - thëngjill errësire
Mjekrën e gjatë ua tund era
Rendin natën nëpër ferra
Në rrugë pa rrugë shkëmb e shkrepa
Veç mallkim marrin, me vete
&&&&
Frynë murrlani nëpër Evropë
Dridhet, dridhet papa në Romë
Nëse se Gjergji nuk rron më
Fatih Sulltanin kush e ndalon?
Kush e ndal Sulltan Mehmetin?
Trim i egër shok ka veten
Ai shemb qiellin dhe than detin
Mbi Evropë lëshon tërmetin
S'dua; mbi kokë, të më vejë çallmën
Mbi San Pjetër të shoh gjys’ hënën
Të flasë Evropa atë gjuhë të rëndë
Sulltan Stambollit t'i rrijë nën këmbë.
Flet Papa dhe i merret goja
Buza i dridhet prej sikletit
Kur kujton Sultan Mehmetin
Fjalët në buzë shpejt i ngecin
Zot më fal gjynahet e mia
Ma fal Zot ti pabesinë
Mallkuar qoftë, sëmundja e rëndë
Që e vuri trimin nën këmbë
Se Mehmetin ai i bëri ballë
Nuk e la n’Evropë me hy
Dhe pse unë si ndenja në fjalë
Me i dhënë pare dhe ushtri
S'i dhashë ndihmë Kastriotit
E lashë në baltë e tradhtova
Tash po shoh tym tek porta
E shoh veten nën këmbët e tia
Shtrëngon kryqin varur në gjoks
Shpejt mendon se ka një mik
Një klerik që i shkon fjala
Është Luigji burrë me kokë
Me Hasan Begu qenkan shokë
Uzun Hasani nëse bindet
O me pare o me dredhi
Mund t'ja presë rrugën Mehmetit
Të shpëtojë Roma e Venecia
Bashkë me ato e gjithë Evropa
Të shpëtojë krishterimi
E mbi kokë të mos i vihet çallma
Të mos ja veshin xhyben e rëndë
Mehmet Fatihu, t’na shkelë me këmbë
&&&&&
Natë e zezë nuk ka të sosur
Zemër thyera zemër brengosur
Nëntëdhjetë hallka të gjerdanit
Nëntëdhjetë lulet e Krutanit
S'i ndal nata as errësira
S'i ndal shkëmbi as rrëpira
Janë betuar dhe e mbajnë fjalën
Në emër të tokës
Në emër të qiellit
Më emër të besës
Në emër të nderit
Në dorë turku s'ka me i shti
Para të huajt nuk kanë me u shtri
Do të flijohen për krenari
Të gjitha hallkat prej floriri
Në zinxhir ndriçojmë errësirën
Dhe nxitojnë drejtë greminës
Nxitojnë vajzat se koha s’pret…
Shkëmbi lutet hesht dhe hesht
Nderi Arbrit i thërret
Më parë mali prej vendi shkulet
Se krutanet mund të përkulen
Se krutanet nuk bijnë në gjunjë
Nuk ja puthin xhyben askujt
Nëntëdhjetë vajza ka ba’ be
Do të bëjnë vdekjen si me le’
Kanë lënë nënat me duar në gji
Kanë lënë vëllezërit pa shti në dhe
Kanë lënë shtëpitë në tym e flakë
Dhe janë nisur rrugës gjatë
Rrugës së gjatë të përjetësisë
Për nder të Krujës dhe Arbërisë
IV
Çfarë kërkojnë në shkëmb t’thepisur
Duke rendur për nga gremina
Apo mendja u ka krisur
Asqerët, bisha, nga Turqia
Greminë e tyre është historia
Që do t’i ndjekë dhe përtej varrit
Perandorë e pashallar, gjeneralë e vezirllarë.
Rendin shpati duke dihatur
Shpatat në dorë xhveshur nga mylli
Rendin, rendin dhe nuk ndalen
Herë bijnë aty rrëzohen
Këmba u rrëshqet e bijnë në hona
Duke u kthyer mish për sorra .
Më keq veten s'e kanë parë
Nëpër shkurre dhe rrugë pa krye
Nëpër ferra duke u shqyer
A janë derra a janë xheni
Por kanë ardhur nga fundi botës
Në kokë me i vënë çallmën Evropës
Veçse në Krujë e në Arbëri
Sharra në gozhdë u ka ngri.
Sot po ndjekin këta vajza të reja
I vraftë zoti i shitoftë rrufeja
Se të gjalla vajzat s’dorëzohen
Vetë, me vdekjen, ata martohen.
S'kanë me hy në harem të Sulltanit
Shtojzovallet të krutanit.
I ka lindur nëna një herë
Në Arbëri të vdesin me nder
&&&&
Gurgullon e gjëmon lumi
Vajton hëna zhduket ylli
Natë e zezë, asgjë s’t’ sheh syri
Këmbët e tyre askund nuk ndalen
Kanë lidhur besën, edhe fjalën
Kanë lënë nënën kanë lënë babën
Kanë lënë vëllezërit pa i vajtuar
Thirrën vdekjen me u martuar
Shohin qiellin dhe një herë
Amanet qiell i Arbërisë
Që s'ke fund e nuk ke krye
Që veç ti sonte na shikon
T'u thuash nënave që lamë në shtëpi
Kur të vijnë, lule me na sjellë
Lot nga sytë të mos me nxjerrë
Se veç ballin e lartë na e panë
Në dorë pushtuesit nuk i ramë
Ranë të gjitha siç na pat hije
Përjetësisht vasha Arbërie.
&&&&
I dhemb barku Vatikanit
E shqetëson lemzë e mallkuar
E shqetëson një re e zezë
Që nga lindja ka zënë diellin
E nuk len të shohin qiellin.
Çfarë ka qielli që vajton?
Çfarë ka deti që gjëmon?
I ngrenë dallgë deri në re
Dhe s'e len ditën me le.
Papa Paolo del në shkallë
Rreth e rrotull e hedh shikimin
Mjegull e dendur përmbi Romë.
Afron dimri për Evropën.
Ka rënë Kruja ka rënë Arbëria
Akulli i trashë tokën mbulon.
Turkut, hovin kush ia ndalon?
Rri mendohet Papa në Romë
Nuk e zen vend në vend
Di Bologna po vonon
Nuk dinë gjë si i shkoi rruga?
Vatikani dhe Venediku
Presin fjalë nga Uzun Hasani
Di Bologna burrë me qokë
I ndrit dielli përmbi kokë
Fluturim vjen mbi kalë
Si shqiponjë që zbret nga mali
Di Bologna zbret nga kali.
Dorën lart e ngre nga qielli
E pret Papa me dorë në zemër
Më thuaj një fjalë veç t'a dëgjoj
Më thuaj a rruga mirë të shkoi?
Thuaj Uzuni do të ndërhyjë
A do t'i shpallë luftë Stambollit?
Lavdi Zotit e pranoi!
Por dhe ai na e ka nevojën
Se në lufto s'do t’humbë bojën
Që ta kemi mik për vete
Duhen pare dhe salltanete
Dhe i tregon ç’plan ka Hasani
Me zgjëruar tokat e tij
Don të zbresë drejtë nga Stambolli
Në Egje e në det të Zi
Për Ballkanin s'mendon shumë
As Evropa s’i hynë në punë
Por Mehmeti me ç'kam pa’
Një ushtri të madhe ka
Dhe kjo luftë shumë do të zgjasë.
Pra pa ndihmë Hasan Aga
Në Stamboll ka zor me hyrë.
Papa kruan kokën pa flokë
Ti premtojmë pare një herë
Derisa ai të fillojë luftën
Se kur në luftën hyjnë dy budallë
Si fije bari këpusin litarët
Njëri tjetrin s'e lënë të gjallë
Nëse vdes a vritet Mehmeti
Për Evropën do të lindë dielli
Qesh Papa gjithë gëzim
Rroftë hilja dhe djallëzuar
Unë e ruaj vendin tim
Veç këtu të mos vijë Turqia
V
Ulur, në fron rri Padishah Mehmeti
Rri e rri dhe mendon
Hedh shikimin në Çanak Kala
Natë e ftohtë ka nis me ra
Pret t'i sjellin vashat e arbrit
Çka haberi që po vonon
Çorba në tas lëshon avull
Verë e kuqe shpirti shejtanit
Ja ngroh shpirtin e mashtron
Në delir bie sulltani
Gjithë Evropën e ëndërron
Konkubina nga Arbëria
Janë të serta por krenare
Shtojzovalle shtat selvi
Nëna e tyre thonë ësht shqiponja
I kanë sytë që të përpijnë
Balli lartë u ndrin si dielli
Kur i bie tokës në mëngjes prilli
Ngroh dhe ndrit ndrit, dhe ngroh
I jep botës hijeshi
Ashtu janë bijat e Arbrit
S'janë Ishtari as Zuhraja
Afrodita as Penelopa
Tjetër gjë i krijoi Allahu
Krejt i dua në këmbët e mia
Ata yje, që i sillen hënës
I bijnë qiellit rreth e qark
Që u këndon rruga nën këmbë
Nga ata lulet marrin aromën
Që ua ka zilinë bilbili
Edhe vesa në fije të barit
Të tilla janë bijat e Arbërit
Zjarrin në zemër të akullit ndezin
Janë oaz në shpirt të djegur
Sot, që, Krujës ia ul kokën
Dhe iu shemb malin mbi krye
Nën këmbë do të shoh Evropën
Ata vajza në dorë do t'i shti
Kapni burrat ku të të jenë
Prenjuani kokat pa mëshirë
Çojani në Lezhë atje buzë varri
Thoni: ky fati e pret tradhtarin
Dhe aty për të fundit herë
Lidhur zinxhirë dorë për dore
Çoni vajzat për lamtumirë
Le ta dijë mirë ai tradhtar
Në Xhehenem ku është djegur
Shpata ime dhe dora e Allahut
Arbërinë ja dhanë Stambollit
Sot s'ka gjë që më ndalon
Kur të vijnë ata, në Stamboll
Unë mbi ta do të jem zot
Zot mbi Krujë dhe mbi gjithësi
Shpata ime gjuha e Allahut
Do të sundoi mbi gjithësinë
Shkëmbi egër, kujën lëshon
Shpati thyer këtë natën loton
Gati të plasë fryhet lumi
Arratinë ka marrë gjumi
Këndon në dritare një zog nate
Çirret zogu dhe nuk pushon
Ngrihen dallgë në Dardanele
Në vetmi, Mehmeti qëndron
I ka ikur gjumi i natës
Ëndrrat të këqija s'e lënë rehat
Nxjerr nga mylli tehun e shpatës
Hekuri i ftohtë akull qëndron
Mendja i shkon tek Arbëria
Është një krimb që e ngacmon
Dhe ja tremb gjumin nga syri
Por dhe brenda në Saraj
Ka ca sy që e shohin shtrembër
Ka ca sy që shohin fronin
Rri pret lajm të mirë nga veziri
Nga Arbëria pret haberin
Pret t'shikoi n’saraj’ robinat
Pse Kasneci po vonohet?
Dhe pa pritur troket dera
Vjen Kasneci duke dihatur
Sa nga lodhja sa nga frika
Mezi qëndron në këmbë i shkreti
Skuq e nxirë në fytyrë
Flet me zor se i merret fryma
Bie në këmbë para Mehmetit
Lëvdu qoftë fama jote
Që ku lind e perëndon dielli
Nuk ka tjetër veçse ti
-Më thuaj, kurë vijnë në Stamboll robinat?
-Më thuaj çakall mos mu përdridh
-Ma jep letrën të shoh çfar shkruan
Se më lartë natën pa gjumë.
Qimet në kokë përpjetë i ngrihen
Qepë të kuqe dy sytë e ballit
Shtrëngon dhëmbët a thua po i thyhen
A thua sarai i bie mbi kokë
A thua qielli e zë nën vete
E shtrëngon sa i zë frymën
Ç'është ky komb në mes të Evropës
Që i ka kthyer shpinën Allahut
Që shpërfill ëndrrat e mia?
Tavolinës sa i zë krahu
I bie grusht sa çahet dërrasa
Hungërinë si bishë në shpellë
Don të shkatërroj tokë e qiell
Don të thajë ujin n’Dardanele
Do të djegë malin mbi Krujë
E mbi krye t'ja kthejë në hi
Ta mbysë Arbrin në ujë të zi
Që t'mos shohë më diell me sy
Që t'mos ketë emër as varr
Të mos shkruaj më historia
Për atë popull e komb t'pa fe
Tridhjet vjet i ka vënë prita
Tre herë mbrapa e ka kthyer
Sa taborre ja ka thyer
Gjaku turk vaditi atë tokë.
Sot mbi Arbër do të ndez flakën…
Mbi Arbëri popull i pa fe
Me ca vajza egërsira
Shkojnë e vdesin në gremina
Dhe s'pranojnë urdhrat e mia!!
&&&&
Egërsuar e çartalluar
A thua xhindet i kanë hy
Zjarr e xixa i lëshon syri
Tym i zi i del nga çallma
I dridhet qimja e mustakut
Tunden dërrasat e çardakut
Tre asqerë që rrijnë tek dera
Fluturojnë si gjeth’t nga era
Hyjnë në odë ku Padishahu
Qëndron në këmbë si kërcu ahu
Shpërvjel buzët vesh më vesh
Një damar që i duket në ball
Gërshetuar porsi litar
Jargët buzëve i shkojnë rrëke
Shpata në dorë rreze lëshon
Me ja lëshuar sytë, të verbon
Thotë dua botën në këmbët e mia
@@@@
Është më i qetë orteku i mali
Ndoshta në shpat dhe zen vend
Se qetësohet sonte sulltani
Të gjithë botën don ta shembë.
Si i lanë vajzat t'ju ikin
Si i lanë të mbyten në lumë
Mallkuar buka që u kam dhënë
Një tabor me asqer të zgjedhur
Përgatitur nga dorë e tij
Në Krujë i dolën qe të tredhur
Shikon qielli vranët dhe zi
Flakë e zjarr dytë e tij
Atë taborr me asqer të zgjedhur
Që atë turp mbi krye ma vunë
Në Stamboll shpejt të mi sjellin
Se pa kokën do t'i hedh në lumë
Të mos kenë varr e shenjë mbi tokë
S'janë asqerë të Padishahut
Apo vritni diku në pyllë
Korba e sorra mish të hanë
VI
Po dhe hëna fytyrë zverdhur
Gjak në faqe nuk i ka ngelur
Tymi zi bie mbi fortesë
Lidhen zanat besa besë
Ec moj qyqe dil në atë va
Më ndihmo se dua me qa’
Merr me vete zogjtë e malit
Të qajmë për vajzat e Kuranit
Nëntëdhjetë lule pa hap gonxhe
E flijuan veten sonte.
Ranë ata, shkëmbi qëndroi
Historisë që t'ja tregoi
Të thotë; ç’gjëmë i pa syri
Në atë natë të ftohtë qershori
Kur mbi Krujë e mbi Arbëri
I shtriu krahët bajlozi i zi
Lëshon kujën Kavajeja
Qanë për ata vajza të reja
Me besa besë e dorë për dorë
Ranë sulltanit mos me i ra në dorë
Se arbëreshët që ta dini
Konkubina si bën veziri
Janë lind’ lule “Mos më Prek”
Pranojnë vdekjen për nder të vet