Besëlidhja e Lezhës dhe disa nga ngjarjet e mëdha historike të kombin shqiptar

Kultura

Besëlidhja e Lezhës dhe disa nga ngjarjet e mëdha historike të kombin shqiptar

Emine S. Hoti Nga Emine S. Hoti Më 7 mars 2025 Në ora: 23:13
Foto ilustrim

Besëlidhja e Lezhës e 2 Marsit të vitit 1444 është njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Në këtë datë, me nismën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, u mblodhën në Lezhë prijësit shqiptarë për t`u bashkuar në një aleancë ushtarake dhe politike kundër pushtimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane. Besëlidhja e Lezhës u mblodh në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë. Ajo katedrale e vogël u bë një simbol i madh që hodhi themelet e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar, por përcolli edhe mesazhin e integrimit evropian të trojeve arbërore. Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin: Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Tanush Topia, Teodor Korona Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lek Zaharia, Pjetër Spani, Lek Dushmani, Stefan Çernojeviçi...

Besëlidhja vendosi për formimin e një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.

Ushtria e Besëlidhjes përbëhej nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër ushtrisë shumëkombëshe turke.

Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake e cila bazohej në vendimet me shumicë nga kuvendi, duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes, armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes, ishte ajo që do t`i zgjidhte. Të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës, forcat e tyre ushtarake i vunë nën komandën e Gjergj Kastriotit.

Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara në bashkimin e tokave shqiptare. Mbështetur në parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë u themelua edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe në vazhdim Kuvendi kombëtar për shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, por edhe Besëlidhje të tjera kombëtare.

Memoriali i Skënderbeut, është një objekt që përkujton Skënderbeun dhe betejat e tij çlirimtare kundër okupatorit turk. Ky memorial, përfaqëson një objekt me vlera të shumta historike dhe arkitektonike për Shqipërinë. Ai përfundoj së ndërtuari në vitin 1981. Memoriali përfshin brenda tij rrënojat e Katedrales së Shën Nikollit, mbi të cilën ai është ndërtuar. I ideuar nga skulptori Odhise Paskali dhe arkitekti Latif Lazimi, ky monument përfaqëson denjësisht madhështinë e Skënderbeut. Mbi pllakën e mermertë të varrit, janë vendosur kopja e shpatës dhe e përkrenares së Skënderbeut, marrë nga ato origjinalet, të cilat ruhen në Muzeun e Vjenës. Muret e Katedrales së Shën Nikollit, të ndërtuara në shekullin e XIV-të, janë të dekoruara me 25 shpata dhe mburojën prej bronzi të Skënderbeut, të cilat tregojnë historinë e 25 betejave kryesore të heroit. Skënderbeu vdiq në 17 janar të 1468-ës, dhe u varros në këtë vend. Ai ishte dhe do të jetë historikisht hero i madh i kombit shqiptar dhe simbol i bashkimit kombëtar.

Me rastin e 581 - vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, më 2 mars 20225 në Lezhë, në sheshin përballë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, u vendos një shtatore e re e Tij.

Inaugurimi i shtatores së re të Skënderbeut, më 2 mars 2025, në rastin e kremtimit të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës ishte njëherazi edhe një festë e përbashkët e autoriteteve vendore dhe shtetërore shqiptare, e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës, si dhe përfaqësuesve të trojeve shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi. Shtatorja është vepër e skulptorit Ardian Pepa.

Nga pjesëmarrësit u kujtua ngjarja e madhe kur “Skënderbeu, heroi ynë legjendar mblodhi në Lezhë prijësit shqiptarë dhe krijoi atë aleancë të fuqishme politike dhe ushtarake të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë.

Besëlidhja e Lezhës ishte i pari bashkim politik mbarë shqiptar, ndaj dhe nga pjesëmarrësit Lidhja e Lezhës u quaji “një testament” i unitetit kombëtar shqiptar. Lidhja e Lezhës tregoi se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte jo vetëm trim i shpatës, por dhe udhëheqës i madh politik dhe diplomat i shquar.

“Sa ishte gjallë s`u mposht Skënderbeu,

Triumfues mbi sulltanët osman gjakësor,

I shërbeu kurdoherë lirisë e mëmëdheut,

Sot i lavdishëm dhe madhështor”.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Më 10 qershor 1878, Kuvendi i Prizrenit, shpalli formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra. Programi politik u hartua nga ideologët e kombit shqiptar: Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit i vuri vetes detyrë të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë, siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Qëllimi i saj kryesor ishte bashkimi i trojeve shqiptare dhe të dëshmonte se shqiptarët ishin një komb në Ballkan. Komiteti Kombëtar i Lidhjes përbëhej nga tre komisione: Abdyl Frashëri - për çështjet e Jashtme. Shaban Prizreni - për çështjet e Brendshme. Sulejman Vokshi - për çështjet Financiare. Komiteti Kombëtar i Lidhjes krijoi disa nënkomitete krahinore në vilajetet kryesore shqiptare, të cilat rrezikonin të copëtoheshin. Për vilajetin e Janinës u caktua Abedin Pashë Dino, i cili ishte dhe funksionari i lartë i shtetit osman. Nënkomiteti i Shkodrës, organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali Pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokoli. Ata duke organizuar shqiptarët u shkaktuan humbje të rënda forcave malazeze. Ndërkaq shqiptarët arritën të mbronin me luftime të ashpra dhe me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën. Ata u shprehën të vendosur, që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit, por nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane e malazeze, nuk arritën ta mbanin Ulqinin. Komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe, më 26 nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881, Lidhja e Prizrenit, u shtyp nga Porta e Lartë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë u realizua në Vlorë, më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe nga 40 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, nga Asambleja e Vlorës u formua qeverinë e parë e Shqipërisë së Pavarur e drejtuar nga Ismail Qemali. Mbështetur në Wikipedia, teksti i procesverbalit të mbledhjes nis me fjalët: "Në Vlonë, më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912. Pas fjalëve që tha z. Kryetar Ismail Qemal beu me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e mosvarme...”

Populli shqiptar përballoi me rezistencë dhe luftë të armatosur sulmet grabitqare gjatë Luftës Ballkanike dhe ato të Luftës së Parë dhe të Luftës së Dytë Botërore. Ai mbijetoi përmes sakrificave, qëndresës dhe heroizmave, ruajti të paprekura traditat, gjuhën e bukur shqipe, historiografinë e trashëguar nga ilirët, arbrit e gjer në ditët tona, kulturën dhe folklorin, si dhe virtytet më të mira shqiptare në shekuj. Krahas Skënderbeut, ne kujtojmë mijëra trima shqiptarë të mendjes dhe të penës, që u sakrifikuan në altarin e lirisë, mijëra luftëtarë që ranë dëshmorë për këtë tokë të shenjtë me armë në dorë dhe me ëndrra të mëdha e madhështore, për një Shqipëri të lirë, e gjitha e bashkuar në një trup të vetëm dhe e pavarur.

Ditët 5, 6, 7 mars 1998, ditë të zjarrta dhe heroike në Kosovë

Edhe lufta më e fundit shqiptare, ajo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës i dha atdheut mijëra dëshmorë dhe heronj të pushkës dhe të penës, por dhe mijëra të plagosur dhe të dhunuar nga regjimi gjakatar serb. Midis tyre ndrit e lartësohet në mendjet e çdo shqiptari emri dhe vepra e Heroit të Popullit Adem Jashari, vepra heroike e familjarëve dhe e shokëve të tij luftëtarë.

Adem Jashari zhvilloi një ndër betejat heroike shqiptare, që çuditi një botë të tërë dhe tregoi se cilët janë shqiptarët, se, ata, për atdheun luftojnë deri në pikën e fundit të gjakut dhe se ndihen krenarë kur japin jetën për atdhe e flamur.

Sjellim në kujtesë 5, 6 dhe 7 marsin e vitit 1998. Forca të shumta terroriste të policisë dhe të ushtrisë serbe me mjete të blinduara iu vërsulën shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz. Nga shtëpia, e cila u shndërrua në një kala mbrojtëse, Adem Jashari dhe e tërë familja e tij iu përgjigjën me zjarr, zjarrit armik. Në fillim, më 5 mars 1998, u vra Adilja, bashkëshortja e Ademit. U vra duke furnizuar luftëtarët me municione. Në ditën e dytë, më 6 mars luftimet nisën që në mëngjes shumë të ashpra. Serbët ia nisën me granatime, të cilat binin mbi shtëpi dhe oborr, duke vrarë disa nga anëtarët e familjes. Ademi dhe i vëllai, Hamza, së bashku me djemtë e familjes luftonin pareshtur në pozicionet e tyre. Granata të tjera vranë të tjerë anëtarë të familjes. Kriminelët serbë ishin të vendosur ta shuanin me zjarr e hekur të tërë familjen Jashari, ndërkohë që si përgjigje e thirrjeve të tyre për dorëzim, merrnin vetëm zjarrin dhe krismat e armëve luftarake. Në ditën e tretë të sulmit, me 7 mars, ra heroikisht me armë në dorë edhe Ademi, komandantit i shquar i UÇK-së, së bashku me të gjithë familjen e tij luftëtare.

Në luftimet e tri ditëve,5, 6 dhe 7 mars 1998, së bashku me komandant Adem Jasharin, ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, të atdheut dhe të kombit 20 anëtarë të familjes, 10 prej të cilëve ishin fëmijë.

Tri ditë luftime, tri ditë luftë e jashtëzakonshme. Qindra kriminelë serbë të armatosur gjer në dhëmbë, luftuan me një familje, që jo vetëm nuk u tërhoq, por luftoi dhe u ndesh dhëmbë për dhëmbë me agresorët gjakatarë.

Luftuan me agresorët: të moshuar, burra dhe djem, vajza dhe gra, mes tyre dhe shumë fëmijë. Të gjithë vaditën tokën dardane me gjakun e tyre. Ishte kjo betejë me agresorin serb, që përcaktoi dhe një zhvillim edhe më të zjarrtë të luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Jasharajt u bënë flamur dhe frymëzim heroizmi për skuadra, çeta, batalione dhe brigada luftëtarësh të UÇK-së.

“Me trimërinë e tij bota bëri çudi,

Luftonte një familja për komb e liri,

Ademi, gjithë fisi, u bën flamurtarë,

Me ta UÇK-ja ndezi Dardaninë zjarr!

Brezat do thërrasin: prina luftëtar!

Eja Adem Jashari, eja o legjendar!”

Lufta e Kosovës(1998-1999) u zhvillua ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK-së) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA-së). Lufta filloi më 28 shkurt 1998 dhe përfundoi më 24 Mars 1999, kur (NATO) ndërhyri duke filluar sulmet ajrore, të cilat rezultuan me tërheqjen e forcave serbo–jugosllave nga Kosova.

Në këtë luftë u dëbuan 848,000 shqiptarë nga Kosova, u vranë 15,000 persona, nga të cilët 1,500 luftëtarë të UÇK-së, 1,200 ushtarë dhe policë serbë. Të tjerët ishin civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 8,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur ende numri i njerëzve të pagjetur.

17 shkurt 2008, pavarësia e Kosovës

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008. Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Ndër shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj. Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë u dëgjua në seancën e shpalljes së pavarësisë. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

Sot Kosova ecën me hap të sigurt në rrugën evropiane drejt zhvillimeve demokratike dhe ekonomike. Këtë vit (17 shkurt 2025) ajo festoi 17 - vjetorin e pavarësisë.

***********

Historia e popullit shqiptar është e mbushur me qindra e mijëra dëshmorë e heronj në të gjitha kohët, duke filluar nga luftërat me pushuesit romakë, bizantinë, osmanë, nga lufta me dyndjet barbare bullgare - sllave, nga luftërat me fqinjët uzurpues e grabitqarë...Trojet shqiptare kanë qenë vazhdimisht arenë e padrejtësive historike të fuqive të mëdha, të cilat e kanë copëtuar kombin tonë (1878, 1913, 1914, 1915). Mbi trojet shqiptare kanë kaluar dhunshëm pushtues nga disa vende, sikurse, trojet tona janë dhunuar e shkatërruar nga lufta ballkanike, dy luftëra botërore, si dhe lufta e Kosovës me pushtuesin e egër serb...

Mes heronjve të panumërt lartësohen veçanërisht: Mbretëresha Teuta, kryetrimi legjendar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, njeriu simbol i pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali, luftëtari i madh Adem Jashari, humanistja dhe shenjtorja Nënë Tereza dhe, së bashku me ata, edhe qindra e mijëra të tjerë heronj dhe dëshmorë të kombit tonë...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat