Grave

Kultura

Grave

Nga: Lis Bukuroca Më: 8 mars 2025 Në ora: 11:18
Lis Bukuroca

Nuk dua t’ju uroj 8 Marsin, por dua t’ju uroj gjysmën e fitores që e keni arritur deri tani. Mos harroni se ne, burrat e këqij – njëri prej tyre isha edhe unë – edhe pse jam munduar të përmirësoj vetveten tërë jetën, ende nuk jam i bindur se e kam arritur qëllimin. Sepse ne jemi pasojë e një çedukate, manipulimi, të ndërtuar mbi padrejtësi dhe pabarazi.

Mos i edukoni djemtë ndryshe nga vajzat, sepse kjo është arsyeja pse sot shohim kudo vajza të edukuara, të arsimuara mirë, të përparuara dhe të transformuara, shpeshherë më të suksesshme dhe më inteligjente se burrat. Ju jeni rezultat i një edukate të moralshme që e keni marrë në shtëpi, ndërsa ne, djemtë që krijojmë tensione brenda familjes, jemi pikërisht rezultat i atyre grave që u mashkullorizuan – jo sepse donin, por sepse burrat nuk u linin asnjë mundësi tjetër. 

Ato menduan se do t’u pëlqenin më shumë burrave nëse i pranonin normat e tyre, duke vazhduar një cikël padrejtësie. Kështu, djemtë trajtoheshin me respekt dhe dashuri të madhe, ndërsa bijat i nënshtronin. Vajza konsiderohej vetëm ‘dera e huaj’!

Ne, ashtu si edhe ju, jemi rezultat i edukatës fisnore, i patriarkalizmit. Prandaj, suksesi që keni arritur deri tani është i pamohueshëm, dhe pa ju, kjo botë nuk mund të ecë përpara. Do të ishte shumë e shëmtuar dhe shumë e prapambetur! Për ta çuar më tej ato rezultate, duhet të veproni akoma më fuqishëm që të arrini të paktën 50% të vendeve drejtuese dhe në Kuvendet e republikave tona. Edhe pse do të ishte më mirë, 90%.

Barazia gjinore nuk është thjesht një dëshirë – është një rregull i shoqërisë së drejtë, është ajo që e mëson burrin të trajtojë me dashuri dhe respekt anëtarët e familjes së tij, pa diskriminim. Sepse diskriminimi është pasojë e urrejtjes. Njeriu nuk lind për t’u nënshtruar, por burrat e bëjnë këtë duke shpresuar se do të vlerësohen nga familja apo nga rrethi. Ata burra që sillen si të fuqishëm brenda shtëpisë janë shpesh që zvarriten jashtë saj – sepse dëshirojnë të trajtohen si heronj në shtëpi, ndërkohë që në shoqëri mund të mos jenë askush.

Sepse ne, burrat e çedukuar, u lindëm të mirë, ashtu si edhe ju, por u prishëm nga patriarkalizmi. Keni mëshirë dhe pak durim, por mos pranoni kurrë përbuzjen – përbuzjen ndaj dinjitetit dhe integritetit tuaj. Në një shoqëri patriarkale, burrat zakonisht e kanë trurin e kolonizuar – njësoj si një militant partiak apo një ekstremist fetar. 

Na janë ngulitur në kokë idetë fikse se të gjitha gratë janë të përdala, të liga – pa përjashtuar as nënat, bashkëshortet, motrat e bijat. Prandaj, shumë prej nesh ishim apo jemi ende të bindur dhe besojmë verbërisht se, duke diskriminuar, po kryejmë vepra të mira morale, për të cilat pastaj do të shpërblehemi. Në fakt mund vetën të blihemi lehtë.

Shpesh kam lexuar paragjykimet e burrave ndaj grave. Madje edhe nga gra. Dhe sa herë i lexoja, pyesja veten: Kush i ka lindur këta? Sa janë të zhgënjyer me nënat e veta, me bashkëshortet e veta, me motrat e veta apo me bijat e veta? Si mund t’i konsiderojë të gjitha gratë të përdala apo të pamira? Të padenja për liri dhe për barazi!

Kur i shkruaj këto fjalë, kam parasysh nënën time, e cila vdiq me libra në dorë, duke lexuar, edhe pse kishte vetëm katër vite arsim. Ajo lexoi tërë jetën. Dhe sa ka humbur familja ime dhe rrethi ynë nga diskriminimi i saj? Nuk e di, por unë personalisht shumë! Kur i shkruaj këto fjalë kam parasysh motrat e mia, që nuk mundën të studiojnë, sepse patriarkalizmi privat i shtëpisë ua mohoi këtë të drejtë. 

Dhe humbja kolektive që i kemi shkaktuar këtij kombi është kjo: ne i kemi luftuar gratë tona në shtëpi dhe kemi konsideruar veten trima pse kemi arritur të nënshtrojmë gratë, motrat, bashkëshortet dhe nënat tona – mu ashtu siç e bënte Serbia me ne, burrat.

Kur t’i mësosh djalit tënd se motra apo vajzat në përgjithësi kanë dinjitet dhe se ky është një parim i i urdhëruar nga kushtetuta dhe nga vetë civilizimi jonë, jo një favor apo mëshirë, por një e drejtë themelore që u takon, atëherë do të kemi një komb të lumtur. 

Mos e mëso djalin me diskriminim, përndryshe do t’ia shkatërrosh familjen e tij nesër. Sepse gruaja e sotme nuk nënshtrohet dhe nuk është e nënshtrueshme si gratë e së kaluarës, të cilat nuk kishin asnjë alternativë tjetër.

Nëse një njeri të mbështet dhe të këshillon diskriminimin si moral, si urdhër fetar dhe si drejtësi, ai në thelb po synon shkatërrimin e familjes tënde dhe të shoqërisë në tërësi. Ai imponohet si një autoritet, duke u mohuar të drejtat dhe dinjitetin grave të familjes tënde dhe duke shkatërruar lumturinë tënde familjare dhe shoqërore. 

Diskriminimi është një formë e nënshtrimit që dëmton thelbësisht ndjenjën e respektit dhe dashurisë – vlerat themelore që duhet të ekzistojnë në çdo familje dhe shoqëri. Diskriminimit  në fakt i paraprin mosbesimi dhe urrejtja. Përndryshe nuk mund të bëhet.

Fëmijët e rritur janë e ardhmja jonë, ndërsa ne jemi e kaluara e tyre dhe e jona. Mos ndërhyni kurrë në dashuritë e tyre, sepse kjo mund të shkatërrojë të ardhmen e tyre. Kur e kaluara ndërhyn në të ardhmen, herët a vonë, kjo e fundit do të përjetojë dëmet e shkaktuara nga e kaluara. Çdo veprim që bëjmë sot ndikon në formimin e së nesërmes. Një proverb italian thotë: "Nuk është bukur ajo që është bukur, por është e bukur ajo që pëlqehet." Prandaj, dashuria është një përjetim, një ndjenjë vetjake, një romancë e jetës, ku e kaluara nuk ka asnjë të drejtë të fusë hundët.

Sepse e kaluara di çfarë i pëlqen asaj, por nuk e kupton çfarë i pëlqen të ardhmes. Fëmijët nuk janë kopje tona, por krijesa origjinale dhe unikate.

Pranoni shumë urime edhe njëherë! Suksesi që keni arritur po shkëlqen kudo në botë, në të gjitha fushat dhe profesionet. Mos e ndalni luftën për të drejtat tuaja, veçanërisht brenda shtëpive, për të emancipuar burrin dhe për t’i edukuar djemtë si duhet. Ata nuk duhet të mësohen për të dashur vetëm prindërit dhe për të përdorur gruan, por duhet të mësojnë të dashurojnë dhe të respektojnë Njeriun. 

Kjo është detyra juaj sublime dhe urdhëresa kryesore në këtë kohë. Një intelektual që nuk lufton diskriminimin në shtëpi, e dëshiron shkatërrimin e familjes, respektivisht të kombit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat