Teksa bluaja në mendje të gjitha kujtimet e rinisë, i nxitur nga ndjenja e nostalgjisë, vitin e kaluar vendosa të vizitoj fshatin ku kam lindur.
Larg në horizont, vështroja bjeshkët dhe malet. Nga era e lehtë që frynte nga malet dhe bjeshka, thithja aromën e luleve. Duke kaluar përgjatë rrugës, ktheva kokën drejt varrezave, ku ndodhej varri i vëllait tim, i ndarë nga jeta në fëmijëri. Rrugës sytë më ranë mbi arat ku dikur prindërit dhe gjyshi, në mëngjes, mblidhnin gjethet e duhanit dhe pambukut.
Në hyrje të katundit dukej minarja dhe xhamia. Pas oborrit të saj ishte shtëpia ku kisha lindur. Përballë xhamisë ndodhej ende dyqani i dikurshëm. Babai im i ndjerë kishte një ëmbëltore, një vend i paharruar për mua që me ngjall kujtime të pafundme dhe një nostalgji të përhershme.
Në katundin Topollnicë, në qytetin e Radovishit, shumica e banorëve ishin të komunitetit turk, të quajtur "Jyrik", ndërsa kishte edhe rreth 50 shtëpi të familjeve shqiptare dhe disa familje të krishtera bullgaro-maqedonase. Në këtë fshat, gjatë viteve 1950-1960, kishte më shumë se 50 shtëpi të familjeve shqiptare. Shumica e këtyre familjeve kishin ardhur nga katundet e Malësisë Sharrit të komunës së Tetovës, nga fshatra si Veshallë, Brodec, Vicë, Xhermë e të tjera. Këto tre komunitete jetonin në harmoni dhe paqe.
Shkolla fillore ishte në dy gjuhë: turqisht dhe maqedonisht. Nxënësit shqiptarë mësonin në gjuhën turke.
Pjesa verilindore e Maqedonisë së Veriut ka qenë e populluar nga komuniteti turk. Toponimet dhe emrat e qyteteve e fshatrave në këtë pjesë kanë origjinë turke. Ky komunitet, me tipare të racës ariane, u vendos këtu pesë shekuj më parë, kur Perandoria Osmane pushtoi Gadishullin Ballkanik. Perandoria Osmane i solli me dhunë në stepet e Ballkanit. Përveç administratës ushtarake, osmanët sollën edhe kolonë nga Anadolli. Ata lanë vatrat stërgjyshore për të ndërtuar jetë të re në Ballkan. Mister i historisë së tyre është se pesë shekuj më vonë, një pjesë e tyre u detyruan të rikthehen në stepat e Anadollit.
DIVERGJENCAT DHE KONTRASTET KULTURORE MES DY KOMUNITETEVE
Dy komunitetet, turq dhe shqiptarë, edhe pse kishin të njëjtën fe dhe një pjesë integrale të mentalitetit oriental-lindor, kishin divergjenca kulturore.
Turqit (Jyrik) ishin më liberalë se shqiptarët.
Më kujtohet një kushëri që punonte në komunë, i cili rrëfente me humor:
"Osmanët neve na i sollën këto tradita dhe zakone të prapambetura. Ne shqiptarët me fanatizëm vazhdojmë të mbahemi anadollakë e turkoshakë, ndërsa këta janë bërë evropianë dhe modernë."
Më kujtohet çaste nga rinia, kur komuniteti turk bënte dasma duke vallëzuar së bashku djemtë dhe vajzat. Në ditët e pazareve, përveç burrave, shkonin vetë gratë dhe vajzat për të bërë pazar në qytet. Tek dyqani i gjyshit, vajzat dhe gratë pinin oranzhadë dhe blinin sheqerka e eblebija . Vajzat dhe djemtë ishin më të pavarur dhe pas fejesës dhëndri shkonte te familja e të fejuarës.
Në vjeshtë të vitit 1963, u kthyem së bashku me xhaxhain në katundin e malësisë së Sharrit, Veshallë. Kthimi në vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve për mua ishte një botë tjetër. Klima e ftohtë dhe jeta e egër në këta fshatra të malësisë ishte plot vuajtje dhe peripeci. Në fshat nuk kishte rrymë. Mua më dukej absurde kur pashë llambat me vaj në dhomë.
Shoqëria patriarkale, rurale, me kode të egra. Unë kisha komplekse dhe paragjykime.
Me fëmijët turq të lagjes kisha mësuar disa këngë në gjuhën turke. Kur erdha në fshat, shpesh burrat dhe pleqtë më thoshin të këndoja këngë turke. Unë, si fëmijë, shpesh këndoja këngë turke, ndërsa ata më jepnin ndonjë llokum ose sheqerka.
Vajzat virgjëresha dhe pas fejesës e kishin të ndaluar t’i dilnin familjes së të fejuarit, vjehrrit, vjehrrës dhe rrethit familjar, ndërsa të fejuarit, po, që silleshin në lagjen e vajzës. Ata mund të hanin dajak dhe të sillnin deri në përplasje dy familjet. Po ashtu, kur grabitej ndonjë vajzë në këta fshatra të malësisë, mes familjeve vinte deri në konflikte dhe vrasje.
Vajzat që kishin rënë në dashuri me ndonjë djalë, prindërit i fejonin pa vullnetin e tyre.
Pas shumë viteve, duke lexuar Kanunin e Lek Dukagjini, kisha kuptuar se këto kode, tradita të egra, nuk i kishin vetëm shqiptarët e islamizuar, por këto kode dhe zakone ishin edhe tek shqiptarët e krishterë. Këto kode të egra nuk na i kishin sjellë osmanët, por kishin ekzistuar edhe në periudhën e mesjetës, para ardhjes së Perandorisë Osmane.
Në katundin Topollnicë, dy komunitetet jetonin në paqe dhe harmoni, por çuditërisht nuk kishte pasur martesa të përziera. Në vitet '60, shumica e komunitetit turk u shpërngulën nga ky fshat dhe pjesët e qyteteve dhe fshatrave të Maqedonisë. Familjet shqiptare, po ashtu, në vitet '70 u kthyen në vatrat dhe vendlindjen e tyre.