Funksionimi i Muzeut të Nënës Terezë në Prizren është formalizuar me një vendim të Kuvendit të Komunës. Vendimi për themelimin e këtij muzeu është miratuar njëzëri nga anëtarët e pranishëm në seancën e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal.
Dispozitat e këtij vendimi theksojnë se “Muzeu do të paraqet jetën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë si personalitet që promovon humanizmin, dashurinë, kujdesin dhe bamirësinë, duke kontribuar për trashëgiminë kulturore dhe promovuar atë, bashkë me aktivitetet tjera shoqërore të ndërlidhura”.
Aty sqarohet se Muzeu ka statusin e institucionit të shërbimit publik që ushtron veprimtari muzeore në përputhje me legjislacionin në fuqi për kulturë dhe atë që rregullon organizimin dhe fushëveprimtarinë e muzeve në Republikën e Kosovës.
“Fushëveprimi, përgjegjësitë, organet drejtuese dhe struktura organizative, mënyra e financimit dhe çështjet tjera rreth organizimit të Muzeut do të përcaktohen me Statut dhe aktet tjera normative të Muzeut”, thuhet në këtë vendim, që duhet të kaloj edhe filtrin e ligjshmërisë nga organet mbikëqyrëse në nivelin qendror.
Para votimit, anëtarja e KK-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani pat kërkuar sqarime se përse është bërë hapja solemne e këtij Muzeut në përvjetorin e pavarësisë dhe tek më pastaj është sjellë propozim-vendimi për miratim në Kuvendin e Prizrenit.
“Ne kemi qenë në hapje të muzeut. Është hapur zyrtarisht. Tash me marrë vendime pas hapjes tregon shumë për neglizhencën e Ekzekutivit karshi Legjislativit”, pat thënë ajo, duke shprehur qëndrimin se bëhet fjalë për veprim të palogjikshëm.
Por kryesuesja e KK-së, Antigona Berisha-Bytyqi ka theksuar se meqë bëhet fjalë për bashkëpunimin mes Komunës, MKRS-së dhe shoqërisë civile në këtë rast “më mirë është të merret një vendim sesa të lihet pa vendim”.
Zyrtari ligjor, Naim Kukaj ka theksuar se detyra në këtë rast ka qenë hartimi i aktit të themelimit, në bazë të cilit pastaj në periudhën e mëtejme hartohet edhe Statuti i Muzeut.
Përkundër vërejtjes së adresuar, vendimi për themelimin e Muzeut është miratuar njëzëri nga 27 anëtarët e pranishëm të Kuvendit të Komunës gjatë shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës.
Muzeu i “Nënës Terezë” në Prizren zyrtarisht është hapur në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë të nivelit lokal e qendror, autoriteteve fetare dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Lexo po ashtuPas një rruge të gjatë, Muzeu i Nënës Terezë në Prizren funksionalizohet në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës gjendet afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut.