Greqia mbështet rrugën evropiane të Kosovës

Lajme

Greqia mbështet rrugën evropiane të Kosovës

Më: 20 prill 2021 Në ora: 12:20
Flamuri i Greqisë dhe i BE-së.

Greqia e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.

Por, pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, "mbetet i pandryshuar", shtoi Aliferi.

Greqia, tha ajo, mbështet konsolidimin e paqes, demokracisë, stabilitetit, sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së", tha Aliferi.

Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Aliferin më 15 prill, kishte kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Greqia është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Sipas një liste të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosovën deri më tani e kanë njohur 117 shtete.

Shteti i fundit që ka njohur Kosovën është Izraeli dhe të dyja shtetet, zyrtarisht, vendosën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt.

Njohja nga Izraeli derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje u arrit më 4 shtator, 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Serbia është zotuar që të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ndërkaq Kosova është zotuar se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për një periudhë njëvjeçare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat