Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin është marrë sërish me kërcënime në formën e tij pas tensioneve në veri të Kosovës.
Ai sot madje ua ka bërë një vizitë forcave të policisë serbe duke thënë se “”çdo anëtar i Ministrisë së Brendshme është i gatshëm të mbrojë serbët kudo që ata jetojnë, veçanërisht në provincën jugore serbe”, duke iu referuar Kosovës.
“Në Zonën e Sigurisë Tokësore, situata është e qetë dhe plotësisht nën kontroll. Në çdo pjesë të territorit tonë, rendi dhe ligji respektohen dhe ruhet prona dhe siguria personale e çdo qytetari të vendit tonë,” tha ai.
Vulin theksoi edhe një herë se anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët janë në Zonën e Sigurisë Tokësore, si dhe pjesëtarët e Ushtrisë Serbe, janë të gatshëm të zbatojnë çdo urdhër të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Dhuna në zonën e Kosovës dhe Metohisë nuk është një opsion dhe dhuna kundër serbëve në zonën e provincës jugore serbe nuk mund të kryhet pa një përgjigje të përshtatshme nga shteti ynë”, kërcënoi Vulin.