Në prani të shumë familjarëve, anëtarëve dhe drejtuesve të shoqatës “Zëri i prindërve” u mbajt mbledhja e rregullt konsultative-raportuese lidhur me punën dhe angazhimin që po bëhet në zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur, mbledhja u kryesua nga kryetari Bajram Çerkini.
Selia e shoqatës si përherë kishte hap dyert dhe ka pritur familjarët që këtu vijnë nga halli edhe shpresa se do të marrin lajme për më të dashurit e tyre, apo mbështetje në këto kohë të halleve edhe ngritjeve të çmimeve që kalon vendi, ku shumë familje po vuajnë edhe heqin të zitë e ullirit për mbijetesë.
Temë boshti ishte përmbyllja e punës edhe aktiviteteve për vitin që po kalon, por edhe nxjerrja e rekomandimeve për aktivitetet edhe punët në vitin që po vjen, ndërkohë që viti që po kalon u vlerësua me notë jo të kënaqshme në përgjithësi, pasi pak ose hiq është bërë nga që janë planifikuar edhe pritur, thanë të pranishmit.
“Shoqata bazuar në besimin që ju na keni dhënë, në secilin takim ka transmetuar mendimin , zërin edhe kërkesat tuaja, për nevojën emergjente të zgjidhjes edhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, që vazhdon të mbetet plagë në shpirtin e familjarëve por edhe të Kosovës” ka thënë Çerkini.
Ndërsa lidhur me angazhimin edhe punën e institucioneve tona në këtë temë, ai ka shprehur kritikën se “ Institucionet tona përkundër kritikave edhe vërejtjeve tona, nuk kanë bërë sa duhet edhe sa kanë mundësi. Kjo për faktin se ende në morg mbeten shumë mbetje që nuk janë identifikuar, sikurse edhe vazhdojnë të presin shumë hulumtime të vendeve të dyshimta, ndërkohë që gjenerata e vjetra po ikin edhe po shkojnë nga kjo botë pa zbardhur fatin e familjarëve të vetë”.
“Ende shumë vende, mbeten në pritje të hulumtimit, nëse kemi vështirësi edhe probleme në hulumtimin e vendeve të dyshimta jashtë vendit tonë, asgjë nuk na pengon që këtu brenda të hulumtohen ato vende, duke nis e përfunduar qoftë nga rajoni në rajon apo përfundimi i rajonit në tërësi” tha Çerkini.
Me këto konstatime janë pajtuar edhe familjarët prezent , që e kanë inkurajuar bacën Bajram që të vazhdojë të kërkoj me ngulm angazhimin dhe presionin më të madh ndaj Beogradit përmes bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të ketë përparime të prekshme në zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur.
Ndërsa asistentja e shoqatës Gjyla Haziri, ka përmendur insistimin e vazhdueshëm dhe kërkesat e vazhdueshme të bacës Bajram në secilin takim, qoftë me shoqatat simotra nga vendi por edhe me zyrtarë të lartë të ambasadave në Kosovë.
Pas diskutimeve me pajtimin edhe të pjesëmarrësve u përpiluan 5 kërkesa drejtuar institucioneve vendore e ndërkombëtare për efikasitet më të madh në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në vendin tonë.
- Të nis sa më parë dialogu i grupit punues për të pagjeturit,
- të kryhen hulumtimet në të gjitha vendet e dyshimta për varreza masive brenda Kosovës,
- të hulumtohen edhe kryhen identifikimi e të pastrohet morgu nga mbetjet e të pagjeturve,
- të hyjë në procedurë të përshpejtuar Ligji për viktimat edhe të pagjeturit dhe
- kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe BE presion për zgjidhjen dhe zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur.