Drejtori i zyrës së ashtuquajtur për Kosovë, Petar Petkoviq ka deklaruar se është absurde deklarata e presidentes Vjosa Osmani se Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet nga marrëveshjet, shkruan “B92”, transmeton “Bota sot”.
"Në detin e deklaratave absurde nga politikanët e Prishtinës, vendin e parë e zë porosia e Vjosa Osmanit, se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet e saj nga marrëveshjet në dialog, pastaj deklarata për asociacionin se nuk do formohet kurrë, ashtu si kanë qenë pajtuar palët në Bruksel”, tha Petkoviq në kumtesën për medie.
Sipas tij “krahas faktit se është e pakuptimtë, tregon edhe fytyrën e vërtetë të politikanëve në Prishtinë, që mendojnë se marrëveshja e Brukselit është tavolinë suedeze, prej nga mundesh me marr atë që do, rregullat e së cilës mund të ndryshohen edhe komentohen sipas dëshirës”.
"Është pikërisht Beogradi ai që ka përmbushur obligimet dhe është partner i durueshëm edhe i besuar në procesin e dialogut, ndërkohë që Prishtina përveç asociacionit refuzon edhe marrëveshjen energjetike, bashkëpunimin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe vendos kushte me qëllim bërjen të pakuptim të dialogut dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura në rrugën e normalizimit të raporteve”, tha ai.
Petkoviq shtoi se është me rëndësi se osmani ka pranuar se asociacioni në marrëveshjen e Brukselit është pranuar me kompetenca ekzekutive dhe strukturë drejtuese për çka Prishtina refuzon të formojë tash e 9 vjet.
"Shpresoj se Osmani ka dëgjuar nga paraardhësit dhe vizitat e të dërguarve amerikan e evropian se marrëveshjet duhet të përmbushen dhe respektohen dhe ta ketë të qartë se nuk mundesh me u largua pakufi nga përmbushja e obligimeve”, përfundoi Petkoviq.