“Dramat” e Petkoviqit

Lajme

“Dramat” e Petkoviqit

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 21:40
Petar Petkoviq

Nga Serbia u nis për në Kosovë. Por, edhe një herë rruga i përfundoi në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë. Kjo pasi drejtorit të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është ndaluar edhe një herë hyrja në Kosovë.

Meqë nga Qeveria e Kosovës kanë vlerësuar se kërkesa e Petkoviq ka qenë në shpërputhje me marrëveshjen për vizitat zyrtare.

Por për këtë, ka reaguar vet Petkoviq në Twitter.

“Paturpësi! Në pikën 3 të Marrëveshjes, e cila i referohet kryenegociatorit, thuhet se ai “do të ketë akses të rregullt dhe të thjeshtuar me palën tjetër dhe për të cilin palët do të japin vetëm informacione logjistike”. Njoftimet në atë rast shkojnë 24 orë më herët. Kështu ka qenë gjithmonë! Justifikimet e Prishtinës janë gënjeshtra të pastra”, ka shkruar ai.

Por, sipas Qeverisë së Kosovës, Petkoviq vizitat në Kosovë po i shfrytëzon edhe për qëllime të tjera.

“Petkoviq gjatë vizitës së tij të kaluar ka shkelur lejen tonë, duke zhvilluar takime me strukturat ilegale përkundër faktit se leja i ishte dhënë bazuar në agjendën e koordinuar për të ndjekur rite fetare. Për më tepër, z. Petkoviq vazhdimisht ka përdorur gjuhë të papërshtatshme dhe ka nxitur urrejtje ndëretnike, që bie në kundërshtim me karakterin demokratik dhe multietnik të Republikës sonë dhe nuk i kontribuon procesit të dialogut”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Se kjo nuk është hera e parë që Petkoviq vepron në këtë mënyrë, e thonë edhe analistët.

Ndryshe, Petkoviqit më herët është ndaluar që të hyjë në Kosovë,  pasi dëshironte ta përuronte një shesh në Gjilan me emrin “Serbia”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat