Lista Serbe: Radoiçiq mbrojtës i popullit serb

Lajme

Lista Serbe: Radoiçiq mbrojtës i popullit serb

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 11:50
Millan Radoiçiq

“Ne hedhim poshtë pretendimet për përfshirjen e pretenduar të Millan Radoiçiqit në ndonjë lloj aktiviteti të paligjshëm dhe kërkojmë që të paraqiten prova të qarta”, i ka thënë Lista Serbe ambasadorit amerikan në Prishtinë. Reagimi vjen pasi ambasadori i këtij vendi deklaroi se e ka përkujtuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq se Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA. Ky është edhe reagimi i dytë brenda dy ditësh në të cilin Lista Serbe mbron nënkryetarin e saj.

Kryetari i Listës Serbe dje ka takuar në Prishtinë ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Ata kanë biseduar për ngjarjet e javës së kaluar në veri të vendit, por edhe për qëndrimin e SHBA në lidhje me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili njëkohësisht kërkohet nga autoritetet e Kosovës.

“Më duhet t’i përkujtoj njerëzit se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Millan Radoiçiq u sanksionua nga Thesari i Shteteve të Bashkuara bazuar në informacionin tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin dhe i thashë atij se, ju e dini qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për këtë tashmë të njohur për këtë person”, ka thënë Hovenier pas takimit.

Në ndërkohë ka arritur edhe reagimi i Listës Serbe.

“Lista Serbe plotësisht i hedh poshtë pretendimet e ambasadorit amerikan në Prishtinë për përfshirjen e pretenduar të nënkryetarit tonë, Millan Radoiçiq, në ndonjë lloj aktiviteti të paligjshëm dhe pret që një zyrtar i tillë i lartë të paraqesë prova të qarta për pretendimet e tij, e jo vlerësime paushallë”, pretendohet në kumtesën e kësaj partie.

Ata thonë gjithashtu se në deklaratën e tij për media, ambasadori amerikan ka “harruar të përmend” se çfarë ka thënë kryetari i Listës Serbe në atë takim lidhur me pretendimet e ambasadorit.

“Është e papranueshme të flitet për dikë në këtë mënyrë, dhe në të njëjtën kohë, për akuzat e lartpërmendura të bëra nga ambasadori amerikan ndaj nënkryetarit Radoiçiq nuk është nisur asnjë procedurë gjyqësore për të vërtetuar atë që pretendon zoti Hovenier”, thuhet në vazhdim të kumtesës.

Ata po ashtu pretendojnë se në rastin e Radoiçiqit, “është e qartë se Prishtina dhe Hovenier mendojnë se është e mundur që dikush të shpallet fajtor pa vendim të gjykatës”.

“Qytetarët tanë e kuptuan shumë mirë se një deklaratë e tillë për zotin Radoiçiq është bërë me qëllim që të bëhet presion mbi z. Radoiçiq, Listën Serbe dhe në përgjithësi kundër popullit serb në veri në momentin kur Prishtina po zbaton veprimet e njëanshme dhe terror ndaj njerëzve duarthatë dhe këto deklarata nuk do ta zbehin vendosmërinë e tyre për të mbijetuar dhe për të qëndruar në këto hapësira, duke respektuar kontributin që z. Radoiçiq e jep për ta”, pretendohet nga kjo parti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat