Kujdes, telefonat mund të shkaktojnë rrudha në qafë

Life style

Kujdes, telefonat mund të shkaktojnë rrudha në qafë

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 19:02
Foto ilustrim

Teknologjia mobile u ka sjellë komfort atyre që nuk mund të heqin më dorë prej saj. Megjithatë, parja e një ekrani të një tableti ose e një smartfoni, po bëhet një shqetësim gjithnjë e më alarmues në universin e bukurisë, për shkak të lakimit konstant të kokës dhe për pasojë formimit të rrudhave të padëshiruara në zonën e qafës.

Për këtë fakt, gjithnjë e më shumë njerëz po “vrapojnë” pas të ashtuquajturës “tech neck” (teknologjia e qafës), trendit të fundit kozmetik, i cili ka për qëllim të zbehë rrudhat e qafës dhe t’i kthejë lëkurës tonalitetin e dikurshëm. “Duke jetuar në një epokë teknologjike, ku pothuajse 100 për qind e pacientëve posedojnë një smartphon, një iPad, një kompjuter ose një laptop, kemi vënë re një rritje të ndërhyrjeve ‘tech neck’”, ka shpjeguar mjekja Preema Ving.

“Mbajtja ulur vazhdimisht e qafës gjatë ditës, shpesh për periudha të gjata kohe, mund të çojë në një plakje të parakohshme të qafës. Për më tepër, përdorimi i përditshëm i një kompjuteri, na detyron që të ulim kokën dhe për këtë fakt shumohen edhe rrudhat në qafë.” Nëse pjesa e parë e trupit më e ekspozuar ndaj rrudhave ishte e ashtuquajtura “zona T”, tashmë ekspertët flasin edhe për “zonën Y”, ose për pjesën e poshtme të fytyrës, qafën dhe dekoltenë.

Ky problem estetik prek veçanërisht personat e një moshe mes 18 dhe 39 vjeç, të cilët posedojnë mesatarisht tri pajisje teknologjike (telefona, laptop, kompjuter etj.), me të cilët ata ndërveprojnë rreth 150 herë në ditë. “Ne ofrojmë një zgjidhje të relaksimit muskulor, i cili është në gjendje të qetësojë përkohësisht lëkurën e qafës dhe të dekoltesë, por edhe të çlirojë tensionet e muskujve”, ka vazhduar specialistja.

Nëse mendoni se kjo tip teknologjie po prek edhe zonën tuaj Y, por që nuk mund t’i nënshtroheni një ndërhyrjeje kirurgjikale, apo nuk jeni dakord me një gjë të tillë, të paktën merrni në konsideratë faktin që të investoni për një krem të mirë antirrudhë. Pra, në mënyrë që lëkura juaj të marrë elasticitetin dhe butësinë e nevojshme, në treg mund të gjeni kremra të posaçëm për këtë problem, nëse ju ka prekur.

Ndërkohë, nëse vini re se kohët e fundit, mediat sociale ju janë bërë një fiksim, merrni në konsideratë që të bëni pauza të herëpashershme ndaj përdorimit të telefonit.

Pasojat e tjera negative

Nëse ekrani i telefonit është i vogël, ju jeni të detyruar t’i picërroni sytë, një lëvizje kjo që me kalimin e kohës mund t’ju shkaktojë rrudha përgjatë ballit dhe anash syve. Muskujt e fytyrës theksohen shumë, në këtë mënyrë lëkura vijëzohet nga lëvizjet e tyre.

Ndaj është e nevojshme që mos ta mësoni trupin tuaj që të bëjë këto shprehje. Po kështu, studimet e fundit kanë treguar se celularët mbartin 18 herë më shumë baktere të dëmshme sesa një banjë publike, përfshirë baktere të tilla si Aureus, E.Coli dhe Salmonela.

Telefonin celular e kemi pranë fytyrës shumë herë në ditë, kështu që bakteret e kanë më të lehtë të arrijnë në kontakt me lëkurën duke shkaktuar një sërë infeksionesh. Ndërkaq, fiksimi i ekranit të celularit për orë të tëra gjatë navigimit në internet, mund të shkaktojë sy të lodhur dhe të kuq.

Vetë sytë e kuq shkaktohen nga fryrja e enëve të gjakut. Skuqja e tyre mund të evitohet duke bërë pushime të vazhdueshme apo duke mos e parë ekranin e celularit për një kohë të gjatë ose me lot artificial për t’i mbajtur sytë e njomë. Ekspertët thonë se ndërkohë që priten studime të tjera, njerëzit mund të pakësojnë rrezikun për shëndetin duke përdorur kufje, mbajtjen e telefonit larg trupit dhe kufizimin e bisedave të gjata telefonike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat