Personat e padashuruar në Berlin po hasin vështirësi gjatë pandemisë. Disa prej tyre po marrin mësime si të flirtojnë dhe të takojnë të tjerët në këtë kohë të distancave fizike.
Nuk është e lehtë të flirtosh në kohën e pandemisë, sidomos kur pengesat si maskat e fytyrës apo distancimi social e bëjnë të vështirë marrjen e sinjaleve nga personi tjetër.
Por instruktorja gjermane e flirtimit, Sofia Lirenfeld, ka ndihmuar me mijëra njerëz t’i kalojnë këto vështirësi dhe të gjejnë partnerin që duan.
Nxënësi i saj më i ri është Kristiani, një specialist informatike i ndarë rishtas nga e dashura.
“Për momentin, më duket sikur nuk di t’i qasem të tjerëve, për shkak të maskave, distancave. Më parë i afrohesha kujtdo vajze që kisha interes dhe i tregoja se më pëlqente. Tani nuk e bëj dot këtë, sepse distancat janë të rëndësishme.”
Kursi i flirtimit kushton rreth 850 euro për 8 orë leksione joshjeje dhe sjelljeje me partnerin.
Sofia, përveçse instruktore, është edhe këngëtare dhe aktore.
“Unë punoj kryesisht me flirtimin e natyrshëm, pra si të relaksohesh, të mos i dorëzohesh frikës. Pastaj gjërat ndodhin vetvetiu, nuk ke pse i mendon. Kështu ka qenë gjithmonë, është natyra jonë, dhe maskat këtë nuk e ndryshojnë.”
Nxënësi i saj, Kristiani, sapo është zhvendosur në Berlin dhe po kërkon shpirtin e vet binjak.
“Edhe të rrish vetëm, i vetmuar, është shumë keq. Do më pëlqente kontakti njerëzor…”
Situata me pandeminë në Gjermani mbetet e rënduar, dhe nga e mërkura deri më 10 janar, do të hyjë në fuqi një izolim më i rreptë i popullatës, me përjashtim të periudhës së Krishtlindjeve.
Mbi 25 mijë gjermanë kanë rënë viktima të koronavirusit, dhe gati 1 milion e gjysmë janë infektuar prej tij.