Sipas psikologëve, qenia njerëzore ka tendencë ta asimilojë informacionin pozitiv më lehtë se atë negativ. Askush nuk dëshiron të përballet me lajme të këqija, por herët a vonë ato do të mbërrijnë.
Duke marrë parasysh se kjo gjë është e pashmangshme, studiuesit sugjerojnë se kur është momenti i duhur për ta marrë lajmin e keq.
Një eksperiment i bërë nga Universiteti i Princetonit USA, e tregon se është më mirë t’i marrim këto lajme kur jemi “keq” emocionalisht.
Për të vërtetuar këtë, u morën në studim dy grupe vullnetarësh. Tek grupi i parë psikologët krijuan stres tek pjesëmarrësit duke u thënë atyre se në fund të testit do të duhej të mbanin një prezantim të vështirë, për të cilin nuk ishin përgatitur dhe se ky fjalim do të filmohej dhe do të gjykohej nga një juri ekspertësh.
Nga ana tjetër, grupi i dytë mori për të zgjidhur disa probleme elementare matematikore, si dhe për të shkruar një detyrë të shkurtër dhe të lehtë
Më pas, psikologët u dhanë pjesëmarrësve lajme të mira dhe lajme të këqija. Personat në grupin e vënë më pak nën stres treguan asimetri tipike të integrimit të lajmit, duke pranuar me dëshirë lajmin pozitiv dhe duke “mos pranuar” lajmin negativ.
Ndërsa grupi i vënë tashmë nën presion tregoi një aftësi për t’i marrë gjërat në mënyrë objektive dhe për ta integruar më thjesht lajmin e keq në mendje.
Shpejtësia e stimujve dhe përgjigjeve bëri të arrihej konkluzioni se individët tashmë të ndodhur në situata të këqija dhe me një gjendje emocionale “të përgatitur”, arrijnë ta presin më mirë lajmin e keq se individët që marrin lajme të këqija kur janë në gjendje të mirë emocionale dhe psikike.