Si të arredojmë dhomën e ndenjes dhe kuzhinën

Life style

Si të arredojmë dhomën e ndenjes dhe kuzhinën

Më: 21 mars 2021 Në ora: 19:50
Foto ilustrim

Dhoma e ndenjes është zemra e shtëpisë, vendi i destinuar për të mirëpritur të afërmit dhe për të shijuar momente intimiteti familjar.

Një parim themelor i Feng Shui-t ka të bëjë me formën e dhomës, e cila duhet të jetë drejtkëndëshe apo katrore, duke evituar zgjidhje më pak lineare, si për shembull, formën e patkoit.

Protagonist i padiskutueshëm i dhomës së ndenjes është divani, prandaj duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë pozicionimit të tij. Sipas parimeve të Feng Shui-t, divani nuk duhet të vendoset përballë një dere, e cila do të bënte që të hynte një sasi e tepërt energjie në dëm të personave që shijojnë relaksin e merituar dhe e njëjta gjë vlen edhe për dritaren, prandaj evitoni të vendosni divanin në afërsi të çdo lloj hapjeje, si për të evituar qëndrimin mes korrentesh ajri, ashtu edhe për të pasur një pamje të plotë të hyrjeve në dhomë. Ideal do të ishte të spostohej divani në qoshen e kundërt të dritares apo të derës, duke e vendosur ngjitur me murin, në mënyrë që të mbroni supet e personit që është ulur. Edhe abazhurët dhe llambat duhen vendosur me kujdes, në mënyrë që të garantojnë rehati, duke evituar një ndriçim të tepërt  artificial. Nuk është e këshillueshme të qëndrohet gjatë ulur në një vend poshtë një ndriçimi direkt që vjen nga një abazhur, i cili sjell sasi të madhe energjie. Një zgjidhje ideale mund të ishte drita e qirinjve, të cilët kanë mijëra esenca të ndryshme.

Një mjeshtër i Feng Shui-t do të këshillonte gjithmonë të zgjidhni qirinj natyralë ose temjan. Mos harroni edhe lulet që digjen për të aromatizuar ambientin.

Kuzhina. Në kulturën kineze, kulti për ushqimin dhe për përgatitjen e tij është shumë i rrënjosur dhe kjo s’ka pse të na çudisë, kur mendohet se ushqimet që përtypim ndikojnë në mënyrë vendimtare në mirëqenien tonë fizike e mendore. Prandaj kuzhina meriton kujdes të veçantë, duke filluar që nga vendi i saj brenda apartamentit. Së pari këshillohet të zgjidhet një banesë ku në kuzhinë të mos hyhet direkt nga hyrja kryesore e shtëpisë, në mënyrë që të mbrojmë nga energjitë negative që mund të hyjnë vendin e zgjedhur për përgatitjen e ushqimit. Në të njëjtën kohë,  është e këshillueshme që kuzhina të ndodhet në një pozicion të mbrojtur, për të evituar që erërat të përhapen nëpër apartament, sidomos në dhomën e gjumit.

Le të shohim tani cila është vendosja më e mirë e mobilieve të kuzhinës. Një nga parimet kryesore të Feng Shui-t është nevoja për t’u ndjerë të sigurt, ndërkohë që punojmë apo pushojmë, prandaj nuk është e këshillueshme të qëndrohet më kurriz nga dera gjatë gatimit. Është shumë më mirë që dera të jetë në krah të këndit të gatimit apo të lavamanit ose thjesht të mbahet dera mbyllur, në mënyrë që të evitohet fluksi i tepërt i energjisë që mund të depërtonte në kuzhinë.

Feng Shui nuk këshillon të vendosni furnelat poshtë dritareve, sepse flaka nuk duhet të jetë në kontakt direkt me korrentet e ajrit. Për të respektuar ekuilibrin midis elementëve, do të ishte më mirë të mbanim të ndarë elementët e kundërt, me qëllim që të parandalohej çdo lloj konflikti, prandaj vendi i gatimit dhe furra duhet të jenë larg lavamanit dhe frigoriferit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat