Buzëqeshja që keni mund të tregojë shumë më tepër për ju nga ç’mendoni. Nga ana tjetër edhe ju mund të lexoni mendjen e njerëve vetëm duke parë shprehitë e tyre të fytyrës. E keni vënë re që jo çdo buzëqeshje ju përçon energji pozitive? Pse ndodh kjo?
Sipas ekspertëve, ka tre lloje kryesore buzëqeshjesh.
1. Buzëqeshja e shpërblimit
Eshtë simetrike. Buzët janë të tërhequra deri në fund dhe dhëmbët e bashkuara.
2. Buzëqeshja e bashkëpunimit
Kjo lloj buzëqeshjeje komunikon tolerancë, njohuri dhe të përcjell ndjesinë e një lidhjeje të afërt.
3. Buzëqeshja dominante
Mollëza e kërcyer dhe vetëm njëra anë e buzës e ngritur tregon dëshirën për të dominuar dhe për t’u ndjerë më superiore se të tjerët.
Gjithsesi, përveç kategorive kryesore ka dhe lloje të tjera buzëqeshjesh që flasin më shumë për ne.
1. Buzëqeshja flirtuese
E njohur ndryshe si buzëqeshja e “Mona Lisa-s”. Eshtë një nga buzëqeshjet më misterioze dhe që zakonisht përdoret në momentet e sikletshme. Ti bën këtë buzëqeshje dhe heq shikimin menjëherë. Zgjat vetëm një moment, zakonisht gjatë kohës kur po flirtoni me dikë.
2. Buzëqeshje e sinqertë
Eshtë një nga buzëqeshjet më të thjeshta për t’u dalluar. Muskujt reflektojnë vetë çiltërsinë e momentit dhe emocionet pozitive. Kjo është buzëqeshja që formon rrudha, por zgjat sa të doni ju!
3. Buzëqeshje përbuzëse
Kjo s’është shprehi pozitive. Shfaq një lloj përbuzjeje apo injorimi për personin tjetër. Një cep i buzës është më i tendosur dhe i ngritur më lart se tjetri.
4. Buzëqeshja “e shtrënguar”
Eshtë një përpjekje e dështuar për të mbajtur të qeshurën. E keni parasysh kur doni të tregoheni të sjellshëm dhe të mos qeshni me të madhe pasi s’është vendi i duhur? Kemi këtë buzëqeshje të stampuar.
5. Buzëqeshja e shtirur
Eshtë fare e thjeshtë për t’u dalluar. Muskujt e fytyrës nuk ndërveprojnë fare dhe ju s’shihni asnjë rrudhë.
6. Buzëqeshja e frikës
Dhëmbët janë të gjithë jashtë. Duket sikur po qesh, por në fakt je nervoz. Vetullat gjithashtu janë të ngritura me tension!