Me temperaturat që rriten, të ndihesh freskët po duket gjithnjë e më e vështirë, por jo e pamundur. Kini parasysh gjithë këshillat e mëposhtme për ta përballuar sa më mirë këtë periudhë:
- Banjat e ftohta
Nëse adhuroni banjat e nxehta, ndoshta ka ardhur koha ta anashkaloni për pak kohë atë kënaqësi për ta zëvëndësuar me një tjetër. Një dush i ftohtë, jo vetëm që mban temperaturën e trupit freskët, por gjatë verës ju ndihmon edhe të flini më mirë natën. Në këtë vapë, të gjithë kemi nevojë për një gjumë cilësor.
- Të ngrënit lehtë
Hani vakte të vogla, të lehta dhe hani më shpesh. Vaktet e rënda shtojnë më shumë nxehtësi pasi trupi juaj punon më shumë për t’i tretur.
- Veshjet
Zgjidhja më e mirë janë rrobat me ngjyra të lehta, me materiale të freskëta si pambuk, lino apo mëndafsh. Mbi të gjitha, zgjidhni ato veshje me të cilat ndiheni më rehat!
- Krem dielli
Mos harroni të aplikoni krem mbrojtës ndaj diellit dhe ta riaplikoni çdo 2-3 orë, veçanërsisht nëse jeni të ekspozuar.
- Qëndroni të hidratuar
Do habiteni se sa njerëz e lënë pas dore këtë këshillë. Dehidratimi mund t'ju japë luhatje humori dhe t'ju sjellë lodhje, prandaj mos humbisni asnjë mundësi që keni për të pirë ujë (ose për t'u hidratuar përmes ushqimeve që përmbajnë ujë).
- Mos lini pas dore aktvitetin fizik
Mos e përdorni vapën si një justifikim për të mos e bërë atë ecjen apo për të mos shkuar sot te palestra. Tani është shumë vapë dhe në dimër do të jetë shumë ftohtë. Moti nuk ndikon tek aftësia juaj për të lëvizur, prandaj "ishte vapë" nuk është justifikim!
- Laguni
Në rastet ku thjesht s'po duroni dot më: Zhyteni këmishën, kapelen ose një peshqir në ujë të ftohtë dhe përdoreni për t'u freskuar.
Cilat mosha duhet të bëjnë më shumë kujdes?
Sipas mjekut infeksionist, Tritan Kalo, moshat që e "vuajnë më shumë të nxehtin" janë fëmijët nën 5 vjeç dhe të rriturit mbi 65 vjeç. Më të rrezikuar janë ata me sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë, diabetit, hipertensionit etj.
Mjeku u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes me ushqimet e përgatitura të shitura ose të konsumuara në kushte higjeno-sanitare jo të përshtatshme, kryesisht ato që vijnë nga shitësit ambulante buzë detit apo buzë rrugëve. Dr. Kalo gjithashtu thekson se "kurrë nuk duhet të ripërpunoni termikisht për ushqimet e mbetura".