Këta janë adoleshentë më empatikë, sipas një studimi

Life style

Këta janë adoleshentë më empatikë, sipas një studimi

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Adoleshentët që kanë marrëdhënie të ngushta dhe të sigurta me familjet e tyre kanë më shumë të ngjarë të jenë empatikë, pra të tregojnë ndjeshmëri ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, sipas një studimi të ri.

Kur adoleshentët ndihen të sigurt, të mbështetur dhe të lidhur me prindërit ose kujdestarët e tjerë të rritur, ata kanë më shumë gjasa që të jenë të ndjeshëm ndaj të tjerëve.

"Unë nuk mendoj se adoleshentëve në veçanti u pëlqen t'u thuhet se çfarë të bëjnë dhe nuk mendoj se do të funksionojë nëse u thuhet që të tregohen të ndjeshëm me të tjerët", tha për CNN Jessica Stern, autorja kryesore e studimit. “Por çfarë funkionon është fakti se nëse u tregon atyre ndjeshmëri, do të jenë në gjendje ta përcjellin te njerëzit e tjerë.”

Puna e Stern lidhet me marrëdhëniet e sigurta të cilat kanë rëndësi në sjelljet shoqërore. Ajo studion marrëdhëniet prindër-fëmijë, e njohur si “teoria e lidhjes” ose “teoria e atashimit”, që bazohet te “ideja që të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë themelore për lidhje”. "Këto ndryshime në cilësinë e marrëdhënieve tona formojnë atë që ne bëhemi me kalimin e kohës,” shtoi ajo.

Adoleshentët që janë më empatikë tregojnë nivele më të ulëta të sjelljeve agresive dhe paragjykimit dhe kanë më pak të ngjarë të bullizojnë, theksoi Stern, dhe kjo është arsyeja pse të kuptuarit se si marrëdhëniet formojnë ndjeshmërinë është e rëndësishme.

Ekspertja këshillon që prindërit dhe mësuesit të kuptojnë domosdoshmërinë e empatisë dhe të investojnë vërtet në marrëdhëniet me adoleshentët. Sigurimi i modeleve të sjelljes empatike, duke përfshirë trajtimin e të tjerëve me mirësi, respekt dhe mbështetje, mund t'i ndihmojë adoleshentët të përvetësojnë këto sjellje, pavarësisht nëse janë të vetëdijshëm për këtë apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat