Duke u rritur ne mësojmë shumë për marrëdhëniet nga prindërit tanë. Ne mësojmë për atë që është e mirë dhe e keqe, si të komunikojmë dhe si të sillemi. Prindërit vendosin standardet dhe pritshmëritë e tyre për ne.
Ju derdhët diçka në dysheme. Ndodhi aksidentalisht. Mami ju bërtet dhe ndoshta ju kap nga veshi duke ju thënë se e bëtë qëllimisht, ndërsa ju filloni të dridheni nga frika. Si mund ta kishit bërë diçka të tillë me qëllim? Pse do ta bënit diçka të tillë me dëshirë, kur e dinit se prindërit do t’ju bërtisnin? Shkoni në dhomën tuaj, qani dhe mendoni se sa të ngathët jeni.
Ju jeni duke kursyer para për të blerë lodrën që kishit aq qejf, por në fund prindërit tallen me dëshirën tuaj dhe thonë se është humbje e kotë parash.
Këto janë vetëm disa skenarë se si rritja nga prindërit emocionalisht të papjekur mund të çojë në një përvojë të vetmuar gjatë rritjes.
Prindërit emocionalisht të papjekur nuk krijojnë një lidhje emocionale me fëmijët e tyre. Ata hedhin poshtë çdo formë të lidhjes dhe çdo mundësi që fëmijët të hapen me ta. Këta lloj prindërish nuk arrijë as të kuptojnë emocionet e tyre dhe si rezultat, fëmija është i hutuar dhe nuk di si të ndihet.
1. Prindërit nuk ju dëgjojnë vërtet
Duke u rritur nga prindër emocionalisht të papjekur, do të ndiheni sikur pavarësisht se çfarë u thoni prindërve tuaj, ata kurrë nuk do t'ju kuptojnë plotësisht.
Ju, nga ana tjetër, do të ndjeni se është e kotë të grindeni me ta, pavarësisht se sa shumë përpiqeni t'ua shpjegoni gjërat atyre, ata thjesht do të injorojnë atë që keni për të thënë.
Kjo çon në një marrëdhënie ku komunikimi është i vështirë dhe në pjesën më të madhe i njëanshëm. Një problem i madh ndodh kur mendoni se ajo që keni për të thënë është e një rëndësie të vogël. Të shprehesh duket e pakuptimtë.
Reagimi emocional reciprok është përbërësi i vetëm më thelbësor i marrëdhënieve njerëzore. Refuzimi i tyre për të dëgjuar është një shenjë e papjekurisë emocionale.
#2 – Kanë pak respekt për dallimet mes jush
Njerëzit emocionalisht të papjekur janë të acaruar nga mendimet dhe opinionet e ndryshme të njerëzve të tjerë, duke besuar se të gjithë duhet t'i shohin gjërat sipas mënyrës së tyre.
Ata janë të shpejtë për të gjykuar vendimet e të tjerëve dhe nuk do të pranojnë që mund të ketë pikëpamje të kundërta në lidhje me një temë. Ideja se vetëm ata e dinë ç’flasin është ngulitur thellë brenda personalitetit të tyre. Kështu, ata presin që të tjerët të kenë të njëjtat besime dhe të mbajnë anën e tyre në lidhje me çdo çështje. Presin pajtueshmëri të plotë në përputhje me dëshirat e tyre dhe jo tuajat.
#3 – Janë të vetë-përfshirë
A keni pasur një situatë kur njëri nga prindërit tuaj ju ka folur për problemet e punës ose diçka të ngjashme, ose mami ju ka treguar për problemet me babin? Prindërit emocionalisht të papjekur hedhin mbi ju të gjitha shqetësimet e tyre për të lehtësuar pakënaqësinë dhe dhimbjen që ata ndjejnë.
Nga ana tjetër, kjo ndikon negativisht në ndjenjat tuaja. Një prind emocionalisht i papjekur do të shkojë te fëmija i tij dhe do të flasë pas shpinës për bashkëshortin/en, në vend që të përpiqen të komunikojnë dhe ta zgjidhin çështjen si dy të rritur.
#4 – Nuk e shprehin dashurinë/nuk dinë si ta shprehin
Empatia është një domosdoshmëri për intimitetin e vërtetë emocional. Ju nuk mund të keni një marrëdhënie të thellë pa të. Të qenit empatik përfshin të qenit të vetëdijshëm për emocionet dhe synimet.
Prindërit emocionalisht të papjekur e kanë të vështirë të shprehin emocione të thella për fëmijët e tyre. Ata nuk e shprehin dashurinë e tyre për shkak të mënyrës se si janë rritur. Ndoshta, në familjen e tyre, nuk ishte e përshtatshme të shpreheshin ndjenjat. Si çdo gjë, është një përgjigje e mësuar, e formuar në fëmijërinë e tyre.
#5 – Fokusohen më shumë në nevojat/problemet fizike sesa ato emocionale
Prindërit emocionalisht të papjekur mund t’ju japin gjithçka që ju duhet: ushqim, strehim, arsim etj. Por zakonisht, ata do të lënë pas dore një tjetër lloj edukimi dhe përkujdesjeje që duhet të japin, atë emocionale.
Ata nuk dinë si të merren me emocionet e një fëmije, si të ofrojnë mbështetjen e nevojshme. Madje, përgjigjja e tyre ndaj çështjeve të tilla mund të jetë me gjykim.
Si përfundim
Të rritesh në një familje emocionalisht të papjekur mund të jetë e vështirë për një fëmijë. Por lajmi i mirë është se nëse ju e keni kuptuar këtë, do të thotë se jeni të vetëdijshëm për problemin dhe ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së tij. Mendojeni veten si personi që thyen ciklin vicioz të të qenit emocionalisht i papjekur në një familje apo brez familjesh.
Mos i fajësoni tërësisht prindërit tuaj. Kuptoni se, nëse do të dinin më mirë, do të bënin më mirë! Por ju tani dini, prandaj përpiquni të bëni më mirë në të ardhmen, për veten e fëmijët tuaj.