Shtëpia franceze e modës Givenchy është kritikuar ashpër pasi modelet mbanin varëse që ngjanin si litarë gjatë sfilatës në Javën e Modës në Paris.
Tri modele mbanin versione ari dhe argjendi të aksesorit në shfaqjen Givenchy të pranverë-verë 2022. Ky “incident” vjen dy vjet pasi Burberry kërkoi falje për për një bluzë me kapuç, lidhëset e së cilës i ngjanin një litari në formë laku.

"Mund të mendonit se industria do të kishte mësuar të mos vendoste gjëra që ngjajnë me tela rreth qafës së një modeleje," shkroi në Instagram llogaria e famshme e modës, Diet Prada. "Vërtet të bën të pyesësh veten se si askush nuk e vuri re, por mjerisht ... historia përsëritet."
Aktivistja dhe artistja Kim Saira shkroi:
"Si kaloi kjo tek disa njerëz para kësaj shfaqjeje dhe të gjithë menduan se kjo ishte në rregull? Dhe gjithashtu pse nuk jam e befasuar?"

Varësja ishte pjesë e shfaqjes së parë të drejtorit kreativ të Givenchy, Matthew Williams, pasi ai u bashkua me markën luksoze verën e kaluar. Ai tha për Vogue se pjesët ishin "vërtet të punuara dhe komplekse", dhe u krijuan me artistin amerikan Josh Smith, të frymëzuara nga pikturat e tij Grim Reaper.
Kur Burberry u përball me reagime të ashpra në vitin 2019, për shkak të detajit të bluzës, një nga modelet e markës, Liz Kennedy, shkroi një postim në Instagram, duke theksuar se: "Vetëvrasja nuk është modë."

Shefi i Burberry, Marco Gobbetti tha se marka “kërkonte shumë falje për shqetësimin e shkaktuar”, duke shtuar: "Ishte e pandjeshme dhe ne bëmë një gabim."
Ndërsa Givenchy nuk ka komentuar ende ndaj kritikave për varësen.
