Përpiqu të jesh një femër e pavarur

Life style

Përpiqu të jesh një femër e pavarur

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Më kanë thënë shpesh se jam shumë e pavarur. Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Unë nuk e kuptoj pse fjalët “grua e pavarur” janë të ngarkuara me konotacione negative në kohët e sotme, kur në fakt mendoj se ky është një term shumë pozitiv dhe fuqizues.

Mendoj se keqkuptimi më i zakonshëm që lind kur themi se “ajo është një grua e pavarur”, është se ajo është një feministe, ose se ajo është dikush që nuk ka nevojë për një burrë në jetën e saj. Kjo gjë është totalisht një keqkuptim.  Pavarësia nuk përfshin domosdoshmërisht feminizmin; dikush mund të jetë e pavarur edhe pa qenë feministe kokëfortë. Të jesh e pavarur nuk do të thotë as të kesh një hakmarrje të brendshme për meshkujt.

Kur them se jam një grua e pavarur, nuk pretendoj se mund të jetoj vetëm në këtë botë. Do të isha hipokrite nëse do të thosha se nuk kam nevojë për njerëz të tjerë në jetën time. Të jesh një grua e pavarur do të thotë të jesh në gjendje të shprehesh në çfarëdo mënyre që të pëlqen, dhe të kesh aftësinë për të bërë gjërat që dëshiron të bësh pa e detyruar veten të përshtatesh me një stereotip standard femëror.

Të jesh e pavarur do të thotë të kesh besim për të marrë vendimet dhe për të bërë zgjedhjet e tua, të kesh guximin dhe forcën për të shprehur mendimet dhe opinionet e tua, të kesh financa për të blerë çfarë do (pa pasur nevojë për kartën e kreditit të burrit/anëtarëve të familjes). Do të thotë të jesh e fortë dhe e sigurt në atë që përfaqëson.

Të jesh një grua e fortë, e vendosur dhe e pavarur në të njëjtën kohë, është një kombinim shumë i fortë. Pavarësia është një dhuratë e fuqishme që një grua mund t’i bëjë vetes. Mund ta bëjë atë të arrijë lartësi të mëdha dhe qëllime më të larta. Dhe në fund të ditës, lumturia dhe kënaqësia që ndjen një grua duke qenë e pavarur, është gjithçka që ka rëndësi.

Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme në ditët e sotme të jesh në gjendje të paguash gjysmën e faturës; të jesh në gjendje të përballosh qeranë dhe të kesh një çati mbi kokën tënde, të jesh në gjendje të blesh ushqime, rroba, çfarëdo gjëje që të bën të ndihesh mirë, të jesh në gjendje të kujdesesh për veten, etj.

Të jesh një grua e pavarur do të thotë edhe të thuash mendimin tënd hapur, gjithmonë duke menduar edhe ndikimin që ai mendim mund të ketë tek njerëzit e tjerë. Ama asnjëherë të mos kesh ndrojtje për ta shprehur gjithçka që mendon si më të arsyeshme.

Këmbëngulja, vetëvlerësimi i lartë, besimi në vete, vendosmëria dhe idetë e shumta janë vetëm disa nga cilësitë që një grua e pavarur mund të ofrojë në një bisedë. Gratë e sotme janë të afta të mbajnë veten dhe familjet e tyre dhe po thyejnë stereotipet e vjetra të roleve tradicionale të grave. Diskriminimi gjinor ende ekziston, por 53% më shumë femra po marrin pjesë në fuqinë punëtore krahasuar me pesëdhjetë vjet më parë, duke i dhënë grave një zë më të fuqishëm në shoqëri. Kjo është një periudhë e rëndësishme për femrat që të përqafojnë fuqinë e tyre kolektive dhe personale dhe të vazhdojnë të rriten dhe të bëhen më të forta.

Kjo është pavarësia e vërtetë. Të jesh e lirë të punosh kudo pa u diferencuar nga meshkujt; të shprehësh mendimin tënd lirshëm; të sjellësh të ardhurat e tua në shtëpi dhe të jetosh pa u bazuar në “standarde” shpesh të gabuara të modelit femëror në shoqërinë tonë (ku femra më parë duhet të mbahej nga burri e të mos punonte).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat