Kur isha vetëm 14 vjeç, ende e mbaj mend sa shumë i jam lutur mamasë sime të më blinte një fustan në ngjyrë lejla të ndezur. Kujtoj se si ndihesha duke e veshur atë, u ndjeva e rritur, isha e bindur se veshja do të ishte çelësi i lumturisë sime të përjetshme.
Veshjet janë energjia që ne krijojmë rreth vetes. Nëse e kurojmë veten në detaje ne krijojmë një lloj mekanizmi mbrojtës për energjinë e keqe duke tërhequr vetëm atë të bukurën dhe të mirën.
Ditën e përcaktojmë që në mëngjes, por një nga elementet kryesore që përcakton energjinë e saj në tërësi është edhe veshja jonë. Shumë njerëz nuk e konsiderojnë veshjen diçka esenciale dhe me ndikim, por për mendimin tim ajo nuk eshtë asnjëherë siperfaqësore. Si pjesë e rëndësishme e komunikimit joverbal, veshja flet shumë për ne, është kartëvizita jonë që në sekondat e parë të prezantimit. Mënyra si ne vishemi na kornizon përballë të tjerëve, por jo vetëm – ajo na ndihmon për të krijuar imazhin rreth vetes, për t’u ndjerë mirë ose jo.
Të vishesh bukur për mua është nje lloj arti, ne miksojmë copëza të vetes sonë, shprehi dhe gjendje emocionale, në formë rrobash apo aksesorësh.
Për mendimin tim, njerëzit që i kushtojnë rëndësi energjisë që përmban veshja janë delikatë, të vëmendshëm ndaj detajeve dhe dashurues të jetës.
Një veshje pink na bën të lumtur, një veshje e re na bën të lumtur. Fuqia e ngjyrave mund të ndikojë pozitivisht në humorin tonë. Rrobat janë lëkura jonë e dytë dhe nuk është thjesht mënyra si ndihemi kur i veshim ato që bën ndryshimin.
Ajo që veshim është mënyra si tregohemi para atyre me të cilët ndërveprojmë - ne ndikohemi prej tyre. Nëse na presin mirë, kjo rrit besimin tonë dhe në fund mund të ndikojë në mirëqenien tonë.
Disa studime kanë zbuluar madje se rrobat kanë një dimension të çlirimit të tensionit, duke u siguruar atyre që i veshin një dozë arratisjeje që ndikon pozitivisht në mirëqenien e tyre mendore gjatë periudhave veçanërisht të vështira. Pra, rrobat tona gjithashtu mund të lehtësojnë ankthin, kjo është arsyeja pse termi "veshje dopamine" po hyn në leksikun e stilit.
Të vishesh bukur ose të përpiqesh të kurosh me detaje të vogla pamjen tënde, është një burim i pastër lumturie, një formë e shëndetshme dhe e pamohueshme e saj.