Viti 2022 ka pak orë që ka nisur dhe, sipas parashikimeve, do të jetë një vit i mbarë. Kështu thonë astrologët, kështu thotë edhe shkenca. Një shpresë e re për të gjithë, por edhe një bindje se viti që vjen do të jetë më i mirë se ai që shkoi.
Po çfarë mund të bëjë secili nga ne për çdo vit të ri që vjen?
Gjëja e parë që shumë njerëz mendojnë sapo trokasin gotat, natyrisht, mbi të gjitha, është dëshira për të pasur shëndet të mirë dhe pastaj premtimi për t’u bërë njeri më i mirë.
Me gëzimin e Vitit të Ri, ne tentojmë të besojmë se çdo gjë është e mundur me një fillim të ri, por në fakt, asgjë nuk ndryshon. Të gjithë fillojmë të ngrihemi në orën 7:00 të mëngjesit më 4 janar dhe Viti i Ri vazhdon në këtë mënyrë me shumë pak ose aspak ndryshime.
Ideja e bilancit në fundvit dhe një plani në hyrje të vitit të ri daton te babilonasit, të cilët kërkonin që t’u paguanin borxhet pronarët e tyre dhe të ishin njerëz më të mirë në fillim të çdo viti të ri.
Tradita e tyre vazhdoi të praktikohej nga romakët, të cilët i premtonin Janusit, zotit që i dha emrin në muajin janar.
Bërja e një premtimi për veten në fillim të një viti është një traditë që, sigurisht, njerëzit e kanë praktikuar për mijëra vjet. Sipas një sondazhi vjetor, publikuar në infogram.com, në vitin 2020, objektivat më popullore për vitin e ri ishin:
Të jem njeri më i mirë
Të shpenzoj më pak para
Të kursej më shumë
Të kem jetë të shëndetshme
Të ha më pak etj.
Megjithatë, 56 për qind e njerëzve, në fakt, nuk kanë ndonjë objektiv për Vitin e Ri dhe kjo nuk është e habitshme. Ky është një sondazh i kryer në SHBA, por mund të zbatohet për të gjithë njerëzit në mbarë botën.
Çelësi për zgjidhjen e suksesshme dhe vendosjen e objektivave në fillim të vitit të ri është të jesh i ndershëm me veten dhe të vendosësh objektiva reale.