Ju merrni çdo ditë kaq shumë informacion për aktivitetin fizik dhe mënyrën sesi të arrini objektivat tuaja sa ndonjëherë e ngarkoni trurin me më shumë gjëra nga ç'duhet.
Pavarësisht çdo liste me rregulla, e vërteta universale në këtë temë është që: aktiviteti fizik është gjithmonë i mirë! Tani, meqë jemi në prag të shtatorit - muaji i rikthimit në palestër- me siguri po pyesni veten: "Sa herë duhet të ushtrohem gjatë javës?"
Një përgjigje e sinqertë do të ishte: varet nga objektivat e tua, stili i jetës dhe trupi i gjithsecilit. Secili prej nesh është ndryshe prandaj dhe axhenda e aktivitetit fizik duhet të jetë e ndryshme.
Sidoqoftë, ka disa këshilla që sipas ekspertëve duhet t'i keni parasysh nëse e keni ndarë mendjen që këtë vit do arrini objektivat që i keni vendosur vetes.
Sipas tyre, të rriturit duhet të bëjnë nga 150-300 minuta aktivitet fizik në javë! Ose thënë ndryshe, 30 minuta me intensitet të moderuar çdo ditë, që në fund të javës të keni plotësuar 210 minutëshin. Studimet e kryera pasi vëzhguan rreth 116,221 për 30 vite, arritën në përfundimin se njerëzit më aktivë fizikisht, kanë më pak rrezik të vdesin nga problemet kardiovaskulare apo shqetësime të tjera.