Një lider i mirë është dikush që të motivon, është autentik, tolerant, i mirëkuptueshëm dhe shumë njerëzor. Sigurisht, di edhe të shpërblejë punonjësin.
Më e mira është përmes shpërblimeve monetare, por derisa të mbërrijmë aty, ju tregojmë disa fjalë që përdor një lider i mirëfilltë dhe bën çdo punonjës të ndihet mirë.
Empati
Që nga fjala e deri te ndjesia, empatia është një fjalë që përdoret nga liderët për të treguar se po, e mirëkuptojnë punonjësin dhe vendosen në vendin e tij.
Batutë
Kjo fjalë nënkupton humor dhe një qasje më pozitive ndaj situatave dhe personave në punë.
Të lutem
Fjalët e thëna me mirësjellje kanë më shumë gjasa që ta kënaqin punonjësin. Edhe nëse lideri jep një urdhër, kur e shoqëron me “të lutem”, tingëllon si kërkesë e butë, ose këshillë.
Faleminderit
Ta thuash është shumë mirë. Por ta ndjesh vërtet, është edhe më e bukur.
Po
Një qasje pozitive dhe pohim, është gjithmonë shumë më mirë se sa mohimi. Edhe nëse një lider nuk është dakord me idenë e propozuar, mund të krijojë një fjali të tillë: “Po, është shumë e bukur, por nuk mendoj se duhet ta aplikojmë në këtë rast”. E sheh sa mirë ndihesh?
Pyetje
Kur një lider thotë: “A ka ndonjë pyetje apo paqartësi?”, tregon se është shumë i hapur për të ndihmuar punonjësin në çdo fazë të procesit.
Frymëzim
Kjo fjalë tregon mirënjohje ndaj stafit të punës dhe nënkupton se punonjësit frymëzojnë eprorët të jenë liderë më të mirë.
Mbështetje
Mbështetja jo vetëm në punë, por edhe për sfida jetësore tregon se kemi të bëjmë me një lider njerëzor, që i konsideron anëtarët e ekipit jo thjesht punonjës, por edhe individë me nevoja dhe kërkesa.
Besim
“Kam besim se do e bësh perfekt!”. Të thëna nga një lider, këto fjalë tingëllojnë si një rrahje e ngrohtë shpatullash.
Ndjesë
Nga “ndjesë, vetëm një minutë”, në “të kërkoj ndjesë sepse u nxitova”, në çdo situatë, ta thuash këtë fjalë, të zhvesh nga petku i keqkuptuar i shefit dhe të ngjit në piedestalin e liderit.