Sjellja e shqetësuar e fëmijës së parë kur vjen fëmija i dytë, nuk lidhet me moshën, por me dyshimin se çfarë do të ndodhë me atë, fëmijen e parë. Një varg pyetjesh të cilat nuk ka kurajo t’i bejë i vërtiten në mendjen e tij. Do ta duan më? Pse e bënë fëmijën e dytë, se nuk e duan më ate? Të gjithë merren vetëm me të voglin. Tani vëmendja nuk është vetëm për të, por ka ardhur ky i vogli dhe të gjithë janë të ekzaltuar pas tij, pas të voglit. Nëna gjithë ditën rri me të voglin në dorë, madje fle afër tij, ndërsa fëmijës së parë i thotë “ ti u rrite tani, ke shkuar dhe në shkollë”, madje i kërkon edhe ta ketë “xhan”.
Në këto çaste të vështira për fëmijën e parë, nena dhe babai duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kenë shumë kujdes kur të flasin dhe fjalët që do të përdorin, pasi fëmija edhe pse i rritur në raport me vëllane apo motrën e vogël, edhe ai është ende fëmijë.
Mbase moshën mund ta ketë 5 vjeç, 7 vjeç apo edhe 10 vjeç, ai është ende fëmijë që ka nevojë për prindërit edhe për shumë kohë dhe ende nuk di të dojë apo të ndajë me të tjerët gjërat e tij, sidomos prindërit. Kjo vuajtje zgjat minimumi 8 muaj, sipas shkenctarëve, por me kushtin që prindërit dhe të rriturit pranë të jenë shumë të kujdesshëm. Këto vuajtje janë të shëndetshme, që i mësojnë fëmijëve si t’i pranojnë të tjerët, pasi dhe motra apo vëllai është një tjeter edhe pse kanë të njëjtët prindër dhe janë pjesë e një familje.
Të mësosh të duash e të pranosh tjetrin, kërkon kohë dhe mbi të gjitha prindërit, familja, të të kenë dhënë shumë dashuri. Dhe ky mësim i të dashurit dhe së mirës fillon e mësohet e konkretizohet pikërisht kur bëhesh vëlla apo motër.