Natyra i përket kujdo e sidomos kur bëhet fjalë për lulet e ndryshme që shoqërojnë ambientet tona përgjatë gjithë vitit.
Mund të gjeni një lule për çdo rast nga vjeshta në pranverë si simbol i stinëve, festave apo preferencave tuaja personale.
Lidhja e njerëzve me lulet përveçse e hershme është edhe mjaft e veçantë pasi konsiderohen si një simbol bukurie e perfeksioni.
Në këtë artikull AgroWeb ju liston disa nga lulet më të veçanta në botë të cilat dëshmojnë jo vetëm mrekullitë e natyrës por edhe lidhjen e ngushtë që kemi me to nisur nga vlerat marramendëse që njerëzit janë gati të paguajnë për t’i pasur.
Lulja Kadupul
Konsiderohet si një nga lulet më të shtrenjta në botë për dy arsye kryesore.
E para sepse nuk është shitur kurrë në ndonjë dyqan dhe askush nuk i ka vendosur çmim kësaj luleje deri më tani.
E dini pse? Kadupuli çel vetëm disa orë në vit, gjatë natës dhe rritet vetëm në pyjet e Shri Lankës.
Ky kaktus i cili shpërthen me një lule të bardhë të ngjashme me trëndafilin e egër, njihet ndryshe si “Mbretëresha e natës” apo “Lulja fantazmë”
Lulja çel në mbrëmje dhe thahet para se dielli të agojë për ta rinisur këtë ritual vitin pasardhës.
Gardenia
Konsiderohen ndër lulet më të shtrenjta në treg, kanë origjinë italiane, një aromë të ëmbël të cilën shpesh e gjeni nëpër parfume.
Megjithëse më e zakonshme në dyqane anembanë botës, gardenia futet te lulet më të shtrenjta në botë.
Kjo sepse gardeniat nuk shiten asnjëherë me degë apo copë.
Për të pasur një buqetë me gardenia duhet të blini të gjithë vazon me lule në mënyrë që këto të fundit të mos prishen.
Çmimi i një gardenie mund të arrijë deri në 50 Euro në varësi të stinëve.
Trëndafili nga David Austin
Ky trëndafil i veçantë është prezantuar për herë të parë në vitin 2006 nga David Austin me vlerën 3 milionë Paund.
Ndonëse tani mund ta gjeni me një çmim më të ulët, krijuesi i këtij trëndafili ka punuar rreth 15 vite për ta kultivuar atë.
Austin ka pasur si qëllim të krijojë formën e trëndafilave të vjetër të kopshteve me një aromë të mrekullueshme, e cila i mungon trëndafilave të sotëm.
Orkidea Rothschild
Kjo lule është zbuluar në vitin 1987 në Malajzi dhe kushton më shumë se 3.500 paund.
Përgjatë viteve kjo orkide e veçantë ishte në rrezik zhdukjeje për shkak të tregëtimit nga njerëzit.
Për të lulëzuar, kësaj orkideje i duhen disa vite, ndaj mban edhe një nga vendet e luleve më të shtrenjta në botë.