Pse njerëzit bien pre e premtimeve të paqarta?

Life style

Pse njerëzit bien pre e premtimeve të paqarta?

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 06:10
Foto ilustrim

Një mik të thotë: “Do flasim më vonë” ose: “Do të telefonoj shumë shpejt”, ose dikush me të cilin ke një takim që po vonohet, të shkruan: “Jam rrugës”, por s’ndodh fare kështu? Edhe pse këto shprehje të paqarta shpesh të lënë pezull, për çudi, ato funksionojnë. Pa u menduar shumë, i pranon këto premtime, edhe pse ndoshta asnjëherë nuk ndodhin.

Një fenomen i ngjashëm ndodh me reklamat, që nga fushatat e kompanive të mëdha teknologjike, deri te mesazhet politike. Nike të thotë: "Thjesht Bëje" dhe ti nuk mendon se çfarë konkretisht duhet të bësh. Një fushatë politike mund të thotë: “Po, ne mundemi” dhe prapëseprapë askush nuk e pyet veten: "Mundemi për çfarë?" ose "si do ta bëjmë?". Në fakt, këto mesazhe janë të suksesshme pikërisht për shkak të kësaj paqartësie. Sa më të paqarta të jenë premtimet, aq më të fuqishme bëhen ato.

Madhështia e mesazheve të vagullta

Sipas një studimi të fundit, paqartësia në komunikim nuk është vetëm një fenomen i këtyre mesazheve të njohura. Në fakt, është pjesë e përditshmërisë sonë. Për shembull, dikush përshkruhet si “i gjatë”, ti ndihesh i kënaqur me këtë informacion edhe pse në të vërtetë nuk ke një krahasim të qartë. Kjo mënyrë e të folurit është e pranueshme sepse të jep një ide të përgjithshme - është “mjaftueshëm e mirë” për të krijuar një përshtypje të përbashkët.

Por, kur bëhet fjalë për premtime, si ato që nuk mund t’i testosh në realitet, gjërat bëhen më të ndërlikuara. Këto janë të ashtuquajtura “premtime të paqarta” që nuk janë as të verifikueshme, as të falsifikueshme. Pikërisht për këtë arsye, ato kanë fuqinë më të madhe për të bindur. Çdo individ i jep kuptimin e vet atyre premtimeve, duke menduar se mesazhi lidhet me diçka personale. Për këtë arsye, kur dëgjon: "Thjesht Bëje", mendon se e di çfarë duhet të bësh, sepse e lidh me dëshirat e tua (qoftë vrap, kërcim apo ecje). Kështu, pa e kuptuar, fillon të besosh se ky ishte mendimi yt që nga fillimi.

Pse funksionon paqartësia?

Studimi sugjeron se kjo paqartësi prek tendencën natyrore të njerëzve për të përpunuar informacionin sa më shpejt dhe me sa më pak përpjekje. Jemi të bombarduar nga kaq shumë mesazhe në përditshmëri saqë nuk kemi kohë t'i analizojmë të gjitha. Kështu, pranojmë komunikime “mjaftueshëm të mira” sepse janë të lehta për t'u përtypur dhe nuk kërkojnë shumë mendim.

Në botën e sotme të mbingarkuar me informacion, njerëzit janë të prirur të pranojnë mesazhe të paqarta që nuk kërkojnë shumë analizë. Sloganet e thjeshta dhe premtimet e përgjithshme mbeten të suksesshme sepse secili nga ne i sheh përmes prizmit të dëshirave dhe qëllimeve personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat