Fëmijët janë ata që i vuajnë më shumë pasojat e dhunës në familje. Po sa ndikon kjo situatë në zhvillimin e fëmijës?
Si pasojë e ekspozimit ndaj dhunës, fëmijët mund të manifestojnë ankth, agresivitet, shqetësim, makthe, probleme me gjumin, frikë për të mos gabuar, mendime vetëvrasëse, mungesë apo shtim të oreksit, dhimbje koke dhe stomaku, tendencë për të dëmtuar veten (shkulin flokët, kafshojnë duart etj.), vështirësi në përqendrim apo për të krijuar lidhje shoqërore. Shpeshherë, fëmijët ndihen përgjegjës për dhunën në familje dhe nuk e kuptojnë se është një problem i të rriturve. Ata mendojnë se prindërit debatojnë për shkak të gabimeve të tyre. Dhuna në familje i krijon fëmijës një ndjenjë konfuzioni, aq më tepër kur ata janë shumë të afërt me të dy prindërit. Ndjenjat e dashurisë që përjetojnë për nënën apo babanë hyjnë në konflikt të brendshëm me atë që ndodh realisht mes dy prindërve. Për fëmijët, përvoja e dhunës në familje është shumë pranë me konfliktin e besnikërinë. Fëmijët ndihen jo rrallëherë si “të zënë në mes”, ndiejnë se secili prej prindërve e do në anën e tij. Dashuria për të dy prindërit bën që kjo situatë të jetë e pazgjidhshme. Disa prej fëmijëve mund të mbajnë anën e njërit prej prindërve në kohë që ka të tjerë që ndiejnë se nuk mund të jenë pranë asnjërit prej tyre. Në sfondin e konflikteve brenda familjes, fëmijët mund të zgjedhin t’i nxjerrin në pah ndjenjat e tyre nëpërmjet një sjelljeje mjaft agresive. Prindërit i kuptojnë në mënyrë të gabuar këto sjellje dhe e ndëshkojnë fëmijën. Kjo sjellje, e cila nuk merr në konsideratë ndjenjat e tij, i forcon mendimin se shkaku i dhunës në familje është pikërisht ai. Nuk duhet harruar asnjëherë se prindërit janë model për fëmijët e tyre dhe ata që përjetojnë skena dhune në familje e mësojnë këtë nga të rriturit. Fëmijët kuptojnë se dhuna është e lejueshme dhe është normale të duash dhe të lëndosh njëkohësisht. Për më tepër, fëmijët besojnë atë që shohin: femrat janë të dobëta dhe viktima, ndërsa burrat janë të fortë dhe zotërues.
Ndarja prej konflikteve dhe pasojat mbi zhvillimin e fëmijës
Një çift në proces ndarjeje përballet shpeshherë me ndjenja të forta zemërimi, dhimbje dhe zhgënjim. Për pasojë, ndarja bëhet shumë stresuese edhe për fëmijët. Megjithatë, studimet tregojnë se ndarja nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejt fëmijën, por konflikti në të cilin ai është i ekspozuar gjatë bashkëjetesës së prindërve të tij dhe mbas ndarjes. Mënyra se si prindërit e zgjidhin konfliktin që kanë, përcakton përshtatjen e fëmijës me situatën e re në familjen e tij. Frika, vuajtja dhe ndjenja të tjera që përjetohen nga fëmija minimizohen kur prindërit arrijnë ta zgjidhin konfliktin, duke përdorur kompromis dhe “negociata” në vend të “sulmeve” verbale. Një konflikt i pazgjidhur, kronik, lidhet me përjetimin e një ndjenje të fortë pasigurie emocionale nga ana e fëmijës.
Faktorë kyç që ndihmojnë fëmijën pas ndarjes
• Prindërit duhet ta mbështesin emocionalisht fëmijën, duhet të vëzhgojnë aktivitetet e tij, t’i japin një disiplinë pozitive, nga e cila duhet përjashtuar çdolloj dhune. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për moshën e fëmijës dhe pritshmëritë t’i kenë në bazë të moshës.
• Fëmijët duhet të kenë mundësinë të shoqërohen me prindin me të cilin nuk jetojnë (në shumicën e rasteve ai është babai) dhe të kenë mbështetjen e tij nga ana emocionale. Babai duhet të përfshihet në jetën e fëmijës me aktivitete të ndryshme, të dëgjojë nevojat dhe dëshirat e fëmijës. Gjithashtu ai duhet t’u përgjigjet këtyre nevojave financiarisht, pasi lidhen me sigurimin e kërkesave për rritjen dhe edukimin e fëmijës.
• Është e rëndësishme për fëmijën që prindërit pas ndarjes të provojnë të ndërtojnë një marrëdhënie të re, për të bashkëpunuar sa më shumë në të mirën e fëmijës së tyre. Për më tepër, një ndarje mund të jetë një shembull për fëmijën se si ai mund të zgjidhë një konflikt në të ardhmen.
• Mënyra se si prindërit zgjidhin problemet e tyre imitohet edhe nga fëmijët. Nëse prindërit arrijnë të komunikojnë sa më mirë dhe të bashkëpunojnë pas ndarjes, fëmija e tyre do të ketë më pak vuajtje dhe trauma.