Një studim i ri ka zbuluar se cilësia e miqësive është një faktor kyç për mirëqenien e të rinjve të pamartuar, sidomos atyre në të 20-at e tyre.
Ekipi i udhëhequr nga Lisa Walsh, hulumtuese postdoktorale në Universitetin e Kalifornisë, raportoi se të rinjtë që janë të kënaqur me miqësitë e tyre kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur në jetë.
Sipas studimit të publikuar në revistën PLOS One, ata që ndihen të pakënaqur me miqësitë e tyre kanë më shumë gjasa të jenë më pak të lumtur. Kjo gjetje është veçanërisht e rëndësishme pasi një pjesë e madhe e të rinjve të kësaj grupmoshe nuk janë në marrëdhënie afatgjata, duke theksuar rolin e miqësisë si një shtyllë e rëndësishme e lumturisë.
Studimi përfshiu 1,073 të rinj të pamartuar, të moshës 18-24 vjeç, të cilët u pyetën rreth lumturisë së tyre dhe pesë faktorëve që ndikojnë në: vetëvlerësim, neuroticizëm, ekstraversion, kënaqësi me familjen dhe kënaqësi me miqtë.
Gjetjet treguan se ata që ishin më të lumtur ishin më pak neurotikë dhe më të kënaqur me miqësitë e tyre. Ndërkohë, të rinjtë që raportuan nivelet më të ulëta të lumturisë kishin rezultate të dobëta në të pesë faktorët.
Studiuesit sugjerojnë se për të rinjtë e pamartuar është e rëndësishme të kultivojnë miqësi të thella dhe afatgjata, pasi këto lidhen ngushtë me nivelin e tyre të lumturisë. Ata theksuan gjithashtu nevojën për hulumtime të mëtejme për të kuptuar më mirë marrëdhënien shkak-pasojë midis këtyre faktorëve dhe lumturisë.