Ndjenja e të qenit të humbur, megjithëse e pakëndshme, shpesh është një shenjë e mirë! Është momenti kur gjërat fillojnë të lëvizin nga rrjedha e zakonshme e jetën suaj dhe mundësia për një ndryshim të madh po rritet. Së pari, le të kuptojmë pse e shohim ndjenjën e ‘ngecjes’ në jetë si një gjë të keqe.
Fantazia e madhe e të pasurit gjithçka nën kontroll
Çdo njeri ndihet i humbur në një moment të jetës dhe thjesht duhet të pranojë këtë. Por nëse kjo ndjenjë është një përvojë universale njerëzore, pse na duket kaq e vështirë ta pranojmë?
Në kulturën moderne, e cila është e drejtuar nga arritjet, mësoni herët që duhet “të merrni fatin në duart tuaja.” Kjo nënkupton nevojën për të ditur gjithmonë se çfarë po ndodh, si në botë ashtu edhe në mendjen tuaj. Kjo ushtron një presion të madh ‘për të zgjedhur në mënyrë të drejtë’ dhe për të shmangur humbjen e kohës.
Pse ndjesia e të qenit të ngecur është e pashmangshme?
Shumë psikologë besojnë se të gjithë ne kemi një lloj thelbi, një pjesë të personalitetit tonë që nuk varet nga zgjedhjet tona. Njerëzit kanë preferenca dhe talente të natyrshme që kontribuojnë në atë që njihet si “vetja e vërtetë.”
Gjëra që duhet t’i vlerësoni për momentet kur ju duket sikur ju mungon një drejtim në jetën tuaj:
1. Është më e lehtë të vendosni gjërat në perspektivë
Kur asgjë nuk është e sigurt, është më e lehtë të shihni se si funksionon bota. Kur jeni të fokusuar në ndjekjen e një qëllimi dhe e dini saktësisht se çfarë dëshironi, vizioni juaj është i ngushtë. E keni vëmendjen të përqendruar vetëm tek ai qëllim dhe thjesht përpiqeni të arrini atje.
Por kur jeni të lirë, pa ditur çfarë dëshironi, merrni më shumë informacion. Keni më pak pritshmëri dhe për këtë arsye, mendja juaj funksionon me më pak filtra. Kureshtja bëhet nxitësi juaj i përditshëm.
2. Keni mundësi për të njohur veten më mirë
Ndjenja që përshkruam më sipër, është zakonisht një periudhë kur ju rishikoni lidhjet tuaja shoqërore. Shikoni miqësitë, vendin e punës, familjen—dhe bëni pyetjet: “A është ky mjedisi ku dua të jem?” “Kush jam unë kur nuk jam me ta?”. Pikërisht falë këtyre pyetjeve, do të arrini në një nivel të ri të vetëdijes.
3. Bëni pyetje që nuk keni guxuar t’i bëni më parë
Kur jetoni një jetë të qëndrueshme dhe të sigurt për një kohë të gjatë, ndaloni së vendosuri në pikëpyetje disa gjëra. Mësoni t’u përshtateni normave dhe zakoneve shoqërore sepse "kështu janë gjërat."
4. Nuk keni asgjë për të humbur
Kur ndiheni si të keni prekur fundin ose se jeta juaj po shkon keq, nuk keni asgjë për të humbur. Nga atje mund të gjeni më lehtë guximin për të ndjekur ëndrrat tuaja. Kjo nuk nënkupton se duhet të keni prekur domosdoshmërisht fundin. Ndonjëherë, gjithçka që nevojitet është një kuptim i thellë se jeta juaj e vjetër nuk funksionon më.
5. Askush nuk e ka të qartë çdo gjë
Të gjithë ndihen të humbur herë pas here. Është krejt njerëzore të kërkoni, të endeni dhe të luftoni për të gjetur rrugën e duhur dhe që ju përshtatet më shumë. Ndjesia e humbjes mund të jetë një dhuratë, nëse vendosni ta shikoni kështu. Është një gjendje që ju ofron mundësi që nuk i shikoni kur jetoni jetën tuaj sipas një programi të planifikuar.
Prandaj, nëse ndiheni të humbur tani, shijojeni këtë ndjenjë. Dhe mos harroni: Askush nuk e ka çdo gjë të qartësuar për jetën e tyre!