Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) ka identifikuar 285 produkte kozmetike që përmbajnë kimikate të ndaluara në Evropë.
Nga inspektimet e kryera gjatë një projekti pilot të Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) rezultoi se rreth 6% e produkteve kozmetike përmbanin substanca të rrezikshme të ndaluara sipas rregullave evropiane.
ECHA njoftoi se agjencitë kombëtare në 13 shtetet anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) – ku bën pjesë edhe Gjermania– kishin kontrolluar rreth 4,500 produkte kozmetike dhe gjetën në 285 prej tyre substanca të ndaluara.
Pavarësisht nga firma dhe çmimi
Agjencia Evropiane e Kimikateve, me seli në Helsinki, e gjeti shumicën e substancave të ndaluara duke parë listat e përbërësve.
“Inspektimet u kryen kryesisht duke kontrolluar listën e përbërësve – gjë të cilën mund ta bëjnë lehtë edhe konsumatorët,” thuhet në njoftimin e Agjencisë Evropiane të Kimikateve.
Në lapsat dhe e syve dhe të buzëve u gjet shpesh perfluorononyl dimethicone, i cili degradon në PFOA dhe PFCA, kurse në balsamet, kondicionerët dhe maskat e flokëve ishin shpesh të pranishme D4 dhe D5.
“Konsumatorët duhet të jenë të vetëdijshëm se substancat e ndaluara u gjetën në lloje të ndryshme produktesh kozmetike, të prodhuara nga firma të ndryshme dhe në të gjitha kategoritë e çmimeve”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Evropiane të Kimikateve./DW