“Teoria e kaosit” ka të bëjë me ngjarje që janë të paparashikueshme dhe ndjekin rrugë të çrregullta. Në një sistem kaotik, ndryshimet e vogla në kushte fillestare mund të shkaktojnë pasoja të mëdha më vonë. E ilustruar më së miri nga efekti i famshëm i fluturës i Lorentz-it, ideja është që lëvizja e një fluture sot në Hong Kong mund të ndryshojë motin në New York muajin e ardhshëm.
Kjo teori tregon se parashikimet në modele të ndryshme janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj kushteve fillestare.
Në jetën e përditshme, termi “kaos” përdoret shpesh për të përshkruar ngjarje të rastësishme ose të paparashikueshme, si sjellja energjike e fëmijëve në një autobus pas një ekskursioni. Por, për shkencëtarët, kaosi nuk do të thotë thjesht rastësi. Ai përfaqëson një sistem që, ndonëse nuk është plotësisht i rastësishëm, mbetet i vështirë për t’u parashikuar. Pikërisht për këtë ekziston një degë shkencore që merret me studimin e tij – “teoria e kaosit”.
Në një sistem jokaotik, është e lehtë të matësh detajet e kushteve fillestare. Për shembull, një top që shkon poshtë një kodre: nëse njohim masën e topit, lartësinë e kodrës dhe pjerrësinë e saj, mund të parashikojmë se sa shpejt dhe sa larg do të rrokulliset ai. Por, në një sistem kaotik, ndryshimet e vogla në këto kushte fillestare mund të çojnë në rezultate krejtësisht të ndryshme dhe të papritura.
Pikërisht për këtë arsye, është e vështirë të përcaktohet saktësisht se cilat kanë qenë kushtet fillestare në një moment të caktuar të një sistemi kaotik. Një shembull klasik i teorisë së kaosit është parashikimi i motit. Shpesh ndodh që parashikimet për ditët e ardhshme të dalin krejtësisht të gabuara. Arsyeja? Kaosi. Moti është shembulli më i mirë i një sistemi kaotik: edhe ndryshimet e vogla në atmosferë mund të ndikojnë shumë te parashikimet e mëvonshme.
Si ta përdorni “teorinë e kaosit” për të nisur ditën tuaj?
“Teoria e kaosit” na kujton se ndonjëherë, edhe veprimet më të vogla dhe të padukshme mund të kenë ndikim të madh në rrjedhën e ngjarjeve. Kur nisim ditën, është e dobishme të mbajmë parasysh se edhe veprimet e vogla mund të ndikojnë jo vetëm në humorin tonë, por edhe në mënyrën sesi na ecën e gjithë dita. Gjërat e vogla që bëjmë apo vendimet që marrim, edhe pse mund të duken të parëndësishme, kanë potencialin të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën sesi rrjedh dita.
Kështu që, para se të nisni ditën, merrni një moment për t’u përqendruar tek mendimet dhe veprimet tuaja të para – ndoshta ato janë fillimi i një efekti “fluture” që do t’ju shoqërojë përgjatë gjithë ditës.