Njerëzit e pamartuar mund të kenë rreth 80 për qind më shumë gjasa të përjetojnë depresion sesa ata që janë të martuar, sugjeron një studim i ri.
Studimi zbuloi se rreziku i depresionit për njerëzit e pamartuar mund të jetë më i lartë te burrat dhe ata që kishin më shumë arsim.
Shkencëtarët sugjerojnë se gjetjet mund të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes.
Autorët sugjerojnë se nivelet më të ulëta të depresionit te të martuarit mund të jenë për shkak se çiftet janë në gjendje të mbështesin shoqërisht njëri-tjetrin, të kenë qasje më të mirë në burimet ekonomike dhe të kenë një ndikim pozitiv në mirëqenien e njëri-tjetrit.
Ata analizuan të dhënat nga më shumë se 100 mijë njerëz në shtatë vende, duke përfshirë gati 7 mijë nga Britania e Madhe.
"Analiza jonë ndër-shtetërore sugjeron se individët e pamartuar mund të jenë në rrezik më të madh të depresionit dhe çdo përpjekje për të zbutur këtë rrezik duhet të marrë parasysh rolin e kontekstit kulturor, seksit, arritjeve arsimore dhe përdorimit të substancave," kanë shkruar Kefeng Li nga Universiteti Politeknik i Makaos dhe kolegët e tij në revistën “Nature Human Behaviour.”
Studimi, i cili shqyrtoi gjithashtu njerëzit në SHBA, Meksikë, Irlandë, Korenë Jugore, Kinë dhe Indonezi gjatë një periudhe prej katër deri në 18 vjet, zbuloi se të qenit i pamartuar lidhej me një rrezik 79% më të lartë të simptomave të depresionit në krahasim për ata që janë të martuar.
Gjithashtu zbuloi se njerëzit e divorcuar kishin një rrezik 99% më të lartë për të shfaqur shenja depresioni. Ndërkohë, ata që ishin të ve, kishin një rrezik 64% më të lartë se ata që ishin të martuar. Sipas studimit, personat e pamartuar në vendet perëndimore kishin një rrezik më të lartë të depresionit se ata në vendet lindore.
Rreth 280 milionë njerëz në mbarë botën kanë depresion ose rreth 5% të popullsisë së rritur botërore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Autorët vunë në dukje se të dhënat u mblodhën nga pyetësorët e vetë-raportuar dhe jo nga diagnozat klinike të depresionit. Ata gjithashtu thanë se të gjitha çiftet e analizuara ishin heteroseksualë.