Të pamartuarit në rrezik më të lartë për depresion sesa të martuarit

Life style

Të pamartuarit në rrezik më të lartë për depresion sesa të martuarit

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 23:07
Foto ilustrim

Sipas një studimi të ri, njerëzit e pamartuar kanë rreth 80 për qind më shumë mundësi të vuajnë nga depresioni në krahasim me të martuarit.

Studimi tregoi se rreziku për depresion është më i lartë veçanërisht për burrat dhe për personat me arsim të lartë. Shkencëtarët besojnë se këto rezultate mund të ndihmojnë në identifikimin e individëve me rrezik më të lartë për të zhvilluar depresion.

Sipas autorëve, nivelet më të ulëta të depresionit te të martuarit mund të lidhen me faktin që çiftet ofrojnë mbështetje sociale për njëri-tjetrin, kanë akses më të mirë në burime ekonomike dhe kontribuojnë në mirëqenien e ndërsjellë.

Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 100 mijë individë nga shtatë vende, përfshirë afërsisht 7 mijë vetë nga Britania e Madhe.

“Analiza jonë ndërkombëtare sugjeron se individët e pamartuar mund të kenë një rrezik më të lartë për depresion dhe çdo përpjekje për ta parandaluar këtë rrezik duhet të marrë parasysh kontekstin kulturor, gjininë, nivelin arsimor dhe përdorimin e substancave,” shkroi Kefeng Li nga Universiteti Politeknik i Makaos dhe kolegët e tij në revistën Nature Human Behaviour.

Studimi, i cili analizoi gjithashtu individë nga SHBA, Meksika, Irlanda, Koreja e Jugut, Kina dhe Indonezia gjatë një periudhe nga katër deri në 18 vjet, zbuloi se të qenit i pamartuar lidhej me një rrezik 79% më të lartë për simptoma depresive në krahasim me individët e martuar.

Studimi gjithashtu tregoi se njerëzit e divorcuar kishin një rrezik 99% më të lartë për depresion, ndërsa personat e ve kishin një rrezik 64% më të lartë krahasuar me të martuarit. Ndërsa, individët e pamartuar në vendet perëndimore rezultuan të kenë një rrezik më të lartë për depresion krahasuar me ata në vendet lindore.

Rreth 280 milionë njerëz në botë, ose rreth 5% e popullsisë së rritur, vuajnë nga depresioni, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Autorët theksuan se të dhënat u mblodhën nga pyetësorë vetë-raportues, jo nga diagnoza klinike, dhe se studimi përfshinte vetëm çifte heteroseksuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat