Shumë histori që fillojnë si argëtim përfundojnë me një kokë të rëndë dhe një pendesë të thellë. Po të gjithë e kemi kaluar atë fazën e “edhe një gotë tjetër” që të çon direkt në kapitullin “Pse piva?”.
Në emisionin “Jo veç kullera” në “Andale”, Tomas, Salion, Aldi dhe Eno ndanë histori personale të lidhura me alkoolin, nga kujtimet e hershme të rinisë deri te periudhat më të errëta që u shndërruan në probleme serioze.
Eno kujton kohën kur alkooli ishte pjesë e pandashme e festave.
“Kam pas pirë dikur, kur iknim të rinj nëpër festa. Kur kemi qenë të vegjël,” thotë ai. Gjithçka nisi si një mënyrë për t’u argëtuar, por situata shpesh dilte jashtë kontrollit. “E nis sa për t’u kënaqur, sa të flirtoja me ndonjë gocë. Pastaj e teproja dhe më dukej alkooli si ujë. Nuk haja dot bukë të nesërmen,” rrëfen ai.
Tomasi, që ka qenë baterist, ka një tjetër rrëfim.
“Mbaj mend që kam pas marrë shkallët zvarrë, histori nga më të ndryshmet. Në një festival kam pirë aq shumë sa kam fjetur në një gomë. Një gjysmë gome e dalë nga guri. Kur jam zgjuar në mëngjes, më zgjoi ai i çadrave,” kujton ai.
Salioni ndan një histori më të thellë dhe të dhimbshme. “Mund të ketë qenë 2019-2022. Tre vite të mira që unë zeje se isha i alkoolizuar. Kishte ardhur pika që nuk e kuptoja as veten. Isha i alkoolizuar apo nuk isha? E di si vjen? Është kështu sikur nuk të shtyhet dita nëse nuk ke pirë 2-3 gota. Pija që në mëngjes.” Për të, alkooli nuk ishte më thjesht një pjesë e festës, por një përditshmëri problematike. “E vetmja arsye specifike ishte që më dukej dita shumë bosh nëse nuk pija alkool,” tregon ai. Problemet u shfaqën në çdo aspekt të jetës së tij.
Në diskutim u përmend edhe lidhja e fortë që ka alkooli me traditat ballkanike.
“Lind djali, pi një gotë. Ndodh diçka tjetër, pi një gotë. Në dasmë, gëzuar me verë. Në varrim, kafe dhe raki.” Një cikël i pandërprerë që, për shumë njerëz, bëhet pjesë e jetës së përditshme, duke e bërë të vështirë të dallosh kufirin mes argëtimit dhe varësisë.
Në fund të bisedës, mbeti një mesazh i qartë: Alkooli mund të jetë një pjesë e zakonshme e jetës sociale, por kur humbet kontrolli, pasojat prekin çdo aspekt të jetës.