5 arsye pse punonjësit nuk duhet t’u druhen gabimeve

Life style

5 arsye pse punonjësit nuk duhet t’u druhen gabimeve

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Ne jetojmë në një kulturë ku bërja e gabimeve shikohet si diçka që duhet të shmanget me çdo kusht. Zakonisht, gabimi shoqërohet me ndjenjën e turpit, të ndjerit në faj dhe shpeshherë shoqërohet edhe me frikë sidomos kur gabimet ndodhin në punë.

Nuk ka asgjë më të keqe sesa vonesat në përmbushjen e një projekti të caktuar në kohë, sidomos kur punojmë për një shef i cili nuk ka aspak tolerancë edhe për gabimet më të vogla njerëzore.

Edhe pse ka disa departamente ku marzhi i gabimit nuk lejohet, p.sh., në departamentin e financës, ku gabimi qoftë në një shifër të vogël mund të hedhë poshtë një punë të tërë, gabimet në fusha të tjera mund të jenë më të tolerueshme. Madje, nëse gabimet pranohen në momentin kur bëhen, korrigjohen dhe analizohen, situata mund të përmirësohet më shumë se në fillim.

Natyrisht që askush nuk do të krijojë në kompaninë e tij një kulturë të tillë, ku asnjë të mos mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, gjithsesi duke mbështetur një kulturë që nuk i penalizon njerëzit që bëjnë gabime, përfitimet do të jenë më të mëdha në krahasim me rastin kur ndaj punonjësve që gabojnë merren penalitete.

Ja se cilat janë disa prej tyre:

1. Një mjedis pune më i qetë

Nëse punonjësit që gabojnë nuk penalizohen, të jeni të sigurt që pjesa më e madhe e tyre do të punojë për ta rregulluar atë sa më parë dhe rrjedhimisht, edhe mjedisi i punës do të jetë më i qetë.

2. Një kulturë pune më pozitive

Pranimi i gabimeve në një ambient pune u jep punonjësve lirinë për të pranuar ato që nuk dinë dhe të gjejnë mënyra jo vetëm për të rregulluar gabimin, por edhe për t’u rritur më shumë profesionalisht.

3. Një skuadër më inovative

Një prej arsyeve më të shpeshta se përse njerëzit nuk janë inovativë dhe kreativë është sepse ata i druhen bërjes së gabimeve. Jepini skuadrës suaj hapësirën për të dështuar dhe të jeni të sigurt që menjëherë pas saj do të vijnë edhe idetë inovative.

4. Ulja e numrit të gabimeve

Kur jeni shumë të shqetësuar dhe të frikësuar se mos bëni gabime, çfarë bëni? Në pjesën më të madhe, në raste të ngjashme si kjo, njerëzit përqendrohen rreth faktit për të qenë sa më perfekt, duke neglizhuar në këtë mënyrë detajet e vogla ose në disa raste ndodh që të nervozohen dhe të tensionohen aq shumë, saqë mund të bëjnë më shumë gabime sesa mund ta mendonin. Duke krijuar në kompaninë tuaj kulturën e të lejuarit të gabimeve, të jeni të sigurt që numri i tyre do të ulet sepse punonjësit tuaj nuk do të jenë vazhdimisht nën trysni.

5. Një grup pune më i lumtur

Si përfundim, heqja e penalizimeve në ambientin e punës i ndihmon të gjithë punonjësit që të ndihen më mirë me punën që bëjnë dhe më të lumtur, dhe njëkohësisht duke ulur edhe marzhin e gabimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat