Si një lexues pasionant, Bill Gates ka përzgjedhur pesë libra që ofrojnë një këndvështrim ndryshe për çështje globale, si ndryshimet klimatike, arsimi dhe barazia gjinore
Bashkëthemeluesi i “Microsoft” dhe anëtar udhëheqës i Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, është i njohur si adhurues i leximit. Sipas raportimeve, ai lexon rreth 50 libra në vit dhe gjatë pushimeve merr me vete një çantë të mbushur me libra.
Gates inkurajon të rinjtë që dëshirojnë të lënë një ndikim pozitiv në botë, të zhvillojnë zakone leximi dhe të gjejnë një pasion që i përmbush.
“Çdo libër më mëson diçka të re ose më ofron një këndvështrim ndryshe. Kam qenë me fat që kam pasur prindër që më inkurajuan të lexoj. Kjo më rriti kureshtjen për botën, diçka që besoj më ndihmoi si në karrierën time ashtu edhe në punën me fondacionin tim,” tha ai për revistën amerikane Time.
Që nga viti 2020, kur u largua nga bordi drejtues i “Microsoft”, Gates i është përkushtuar veprimtarive filantropike, duke u përqendruar në çështje globale kritike, si ndryshimet klimatike, shëndeti global dhe arsimi. Më poshtë janë pesë librat që ai rekomandon në blogun e tij personal, Gates Notes.
Not the End of the World – Hannah Ritchie
Në konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike (COP29), liderë nga sektori publik, privat dhe shoqëror diskutojnë mënyra për të përshpejtuar përpjekjet ndaj krizës klimatike. Një nga librat që rekomandon Gates, “Not the End of the World” nga Hannah Ritchie, është veçanërisht aktual.
Sipas tij, shpesh është më e lehtë për njerëzit të ndjekin zhvillimet e fundit për ndryshimet klimatike sesa të kuptojnë tendencat afatgjata. Ky libër, i mbushur me të dhëna, ofron një perspektivë më të gjerë për krizën, duke treguar përparimet që ka arritur njerëzimi në fusha si ulja e vdekshmërisë foshnjore dhe përmirësimi i qasjes në burime bazë, ndërkohë që sfidon narrativën e zakonshme “katastrofike” për ndryshimet klimatike.
Autorja sugjeron gjithashtu zgjidhje praktike për të vazhduar përballjen me problemet klimatike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim midis vendeve të pasura dhe të varfra për të adoptuar zgjidhje inovative.
The Power – Naomi Alderman
Romani fantastiko-shkencor i Alderman, i rekomanduar Gates-it nga vajza e tij Jennifer, thellohet në atë që ndodh kur gratë fitojnë papritmas aftësinë për të prodhuar dridhje të fuqishme elektrike nga trupat e tyre.
Sipas Gates, romani tregon se si bota shpesh bie pre e trazirave shoqërore të dhunshme, në vend që të shkojë drejt një shoqërie që përqafon barazinë gjinore. Libri i kujtoi gjithashtu sfidat që përballojnë gratë sot, duke theksuar nevojën për të vazhduar përpjekjet për barazi gjinore.
How to Know a Person – David Brooks
Si një person introvert, Gates e gjeti librin e David Brooks interesant dhe të dobishëm. Libri propozon një mënyrë më njerëzore jetese, duke i inkurajuar lexuesit të angazhohen aktivisht në ndërveprimet e përditshme, të bëjnë pyetje reflektuese dhe të dëgjojnë me interes të sinqertë atë që të tjerët duan të ndajnë.
Ai vë gjithashtu theksin në rritjen e ndjenjës së vetmisë dhe se si shkëputja në epokën dixhitale mund të çojë në ndarje shoqërore dhe politike, duke treguar se marrëdhëniet e vërteta janë më të rëndësishme nga sa mendojmë.
Brave New Words – Salman Khan
Arsimtari amerikan Salman Khan, themelues i “Khan Academy”, një platformë arsimore jo fitimprurëse me mbi 150 milionë nxënës në mbarë botën, analizon në librin e tij sesi inteligjenca artificiale mund të revolucionarizojë arsimin, duke ofruar përvoja mësimi të personalizuara dhe krijuese.
Khan thekson se inteligjenca artificiale mund të transformojë arsimin duke u mundësuar mësuesve të kalojnë më shumë kohë duke ndërtuar marrëdhënie me nxënësit e tyre. Megjithatë, ai pranon sfida si mbrojtja e privatësisë së nxënësve dhe sigurimi i qasjes në teknologji për të gjithë.
Infectious Generosity – Chris Anderson
Në librin “Infectious Generosity, Chris Anderson”, krijues i organizatës jofitimprurëse “TED”, analizon sfidat e filantropisë në epokën dixhitale, citon Anabel.
Autori pranon se teknologjia e komunikimit është një “thikë me dy presa”: ajo lidh njerëzit, por mund t’i largojë ata përmes dezinformimit. Gates e konsideron angazhimin e autorit për krijimin e një bote më humane e frymëzuese, edhe pse pranon se disa nga propozimet janë të vështira për t’u zbatuar.