Pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera

Life style

Pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 00:29
Foto ilustrim

Jeni të pikëlluar? Mund t’ju duhen deri në pesë ditë për ta kthyer disponimin. Pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera, pohon hulumtimi.

Hulumtuesit kanë zbuluar se kjo është për shkak se pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera, duke përfshirë turpin, befasinë, acarimin apo edhe monotoninë.

Pikëllimi zakonisht shkon bashkë me ngjarjet që kanë lënë gjurmë të madhe, si vdekja apo aksidenti, shpjegojnë hulumtuesit. Prandaj njerëzve u duhet më shumë kohë për të menduar për atë se çfarë u ka ndodhur dhe të ballafaqohen me këtë, dhe kështu më në fund do të jenë në gjendje ta kenë një pasqyrë të plotë.

Për ta testuar kohëzgjatjen dhe efektin e emocioneve, Philippe Verduyn dhe Saskia Lavrijsen nga Universiteti i Leuvenit në Belgjikë kanë kërkuar nga 233 studentë që t’i kujtojnë përvojat e tyre të kohëve të fundit të ngarkuara emocionalisht dhe ta regjistrojnë kohëzgjatjen e tyre.

Pjesëmarrësit gjithashtu duhej t’u përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me strategjitë e përdorura për t’u ballafaquar me këto gjendje emocionale. Nga 27 emocionet, pikëllimi zgjati më së shumti, ndërsa ndjenjat e turpit, befasisë, frikës, neverisë, monotonisë, prekjes, acarimit apo ndjenja e lehtësimit zgjatën shumë më shkurtër.

Zakonisht nevojiteshin 120 orë që ndjenja e pikëllimit të ndalej, ndërsa për 30 minuta tejkaloheshin ndjenja e neverisë dhe turpit. Urrejtja zgjati 60 orë, ndërsa lumturia 35 orë.

Monotonia gjithashtu është regjistruar në mesin e emocioneve me kohëzgjatje më të shkurtër, dhe prof. Verduyn dhe prof. Lavrijsen pohojnë se kjo do të thotë se edhe pse duket se koha kalon më ngadalë kur jemi të mërzitur, përvoja e monotonisë zakonisht nuk zgjat aq gjatë.

Hulumtimi i tyre, i publikuar në revistën e Springerit, “Motivation and Emotion”, është i pari që ofron dëshmi të cilat shpjegojnë se pse disa emocione zgjasin më shumë se të tjerat. Gjithashtu, studiuesit gjetën se emocionet me kohëzgjatje më të shkurtër zakonisht shkaktohen nga ngjarjet që kanë relativisht pak kuptim për jetën tonë.

Nga ana tjetër, emocionet me kohëzgjatje më të gjatë janë zakonisht ato që shkaktohen nga ngjarjet që kanë një ndikim më të fortë në jetën tonë. Prof. Verduyn shtoi se disa nga këto implikime mund të bëhen të qarta vetëm me kalimin e kohës, gjë që pastaj shkakton që gjendja konkrete emocionale të ruhet ose rritet.

Emocioni, prandaj, ruhet nëse një person i rishqyrton ngjarjet dhe pasojat e caktuara. Gjithashtu u konstatua se faktori i kohëzgjatjes mund të ndryshojë në mesin e emocioneve të cilat përndryshe janë shumë të ngjashme.

Kohëzgjatja e emocioneve

Pikëllimi: 120 orë

Urrejtja: 60 orë

Dëshpërimi, shpresa, ankthi, zhgënjimi dhe kënaqësia: 24 orë

Xhelozia: 15 orë

Lehtësimi: 8 orë

Ekstaza: 6 orë

Admirimi dhe mirënjohja: 5 orë

Ndjenja e relaksimit: 4,3 orë

Faji: 3,5 orë

Stresi: 3 orë

Krenaria: 2,6 orë

Prekshmëria: 2,5 orë

Zemërimi, monotonia dhe befasia: 2 orë

Acarimi: 1,3 orë

Dhembshuria: 1,3 orë

Poshtërimi: 0,8 orë

Frika: 0,7 orë

Turpi dhe neveria: 0,5 orë

Verduyn dhe Lavrijsen konstatuan se ndjenja e fajit zgjat shumë më gjatë sesa ndjenja e turpit, ndërsa ankthi zgjat më shumë se frika.

Faktori i kujtesës dhe i përjetimit të ngjarjeve të kaluara është vendimtar në përcaktimin se pse disa emocione zgjasin më shumë se të tjerat. Emocionet që lidhen me ngjarjet të cilat i kujtojmë shpesh zgjasin më gjatë, theksoi prof. Verduyn.

Emocionet me kohëzgjatje më të shkurtër zakonisht – por, natyrisht, jo gjithmonë – shkaktohen nga ngjarjet me rëndësi relativisht të vogël. Nga ana tjetër, emocionet që zgjasin më gjatë janë zakonisht ato që lidhen me ngjarjet që janë të rëndësishme për ne, shpjegon Lavrijsen.

Është e mundur që ne të gjithë kemi vënë re se emocionet e ndryshme nuk zgjasin njëjtë, por më në fund është kryer hulumtimi i cili ka filluar të shpjegojë se pse kjo ndodh kështu; pse gjendja e pikëllimit zgjat shumë më gjatë se, të themi, ndjenja e zemërimit.

Duket se faktori dominues i cili vendos se sa do të zgjatë ndonjë emocion është pikërisht rëndësia e ngjarjes për të cilën emocionet lidhen, pra sa më e rëndësishme të jetë një ngjarje për ne, aq më i fortë dhe më i gjatë do të jetë emocioni që lidhet me të.

Kështu, për shembull, pikëllimi për ndonjë të dashur të ndjerë do të zgjasë shumë më gjatë se ndjenja e zemërimit që shfaqet kur dikush na godet derisa e ngasim makinën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat