Nëse po mendon të bësh seks për herë të parë, është krejtësisht normale të ndihesh pak nervoz/e, por edhe i/e emocionuar. Ky moment mund të jetë i rëndësishëm, prandaj ja disa gjëra që duhen marrë parasysh para, gjatë dhe pas herës së parë.
A je gati për të kryer marrëdhënie seksuale?
Vendimi për të bërë seks për herë të parë është personal dhe i rëndësishëm. Pyet veten:
* A është ky vendim i imi, apo ndiej presion nga partneri/ja apo shoqëria?
* Cilat janë kufijtë e mi dhe çfarë nuk jam i/e gatshëm/e të bëj?
* Dua të jem në një marrëdhënie të angazhuar me këtë person?
Nëse nuk je i/e sigurt, bisedo me dikë që i beson - një mik/e të afërt apo një anëtar/e të familjes. Gjithashtu, bisedo hapur me partnerin/en tënd/e për të kuptuar ndjenjat dhe dëshirat e të dyve. Pëlqimi (konsensusi) është thelbësor dhe duhet të jetë i qartë nga të dyja palët.
Gati për hapin e madh?
Nëse ti dhe partneri/ja ndiheni gati dhe pëlqimi është i pranishëm, është e rëndësishme të jeni të përgjegjshëm. Përdorimi i masave mbrojtëse mund të parandalojë infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) dhe shtatzënitë e padëshiruara.
Si të mbrohesh gjatë seksit?
* Sigurohu për përdorimin e prezervativit për seksin vaginal, anal apo oral për të zvogëluar rrezikun e IST-ve.
* Diskuto dhe informohu mbi kontraceptivët për të shmangur shtatzënitë e padëshiruara.
* Edukohu mbi simptomat dhe trajtimin e IST-ve dhe bëj kontrolle të rregullta për shëndetin seksual.
Çfarë mund të presësh gjatë herës së parë?
A do të përjetosh dhembje?
Për disa persona, hera e parë mund të jetë paksa e sikletshme ose të shkaktojë pak dhimbje. Për të tjerë, mund të jetë një eksperiencë e këndshme. Çdo trup është unik!
* Nëse ka dhembje, kjo mund të vijë nga mungesa e lubrifikimit. Në këtë rast, sugjerohet përdorimi i një lubrifikanti ujor, veçanërisht nëse përdorni prezervativë.
* Nëse dhembja vazhdon, ndaloni dhe bisedoni me partnerin/en për mënyrat që mund ta bëjnë procesin më komod.
Çfarë është himeni?
Himeni është një membranë e hollë që rrethon hapjen vaginale. Gjatë herës së parë, mund të ketë pak gjakderdhje, por kjo nuk ndodh gjithmonë dhe është krejt normale. Nëse gjakderdhja vazhdon, këshillohu me mjekun.
A do të ndihesh si në filma?
Hera e parë mund të jetë magjike, por jo gjithmonë është perfekte. Seksi është një proces që kërkon komunikim dhe praktikë. Mos u shqetëso nëse gjërat nuk shkojnë siç i imagjinoje. Diskuto hapur me partnerin/en për atë që ju bën të ndiheni mirë.
Si mund të ndihesh pas seksit për herë të parë?
Pas këtij momenti, mund të ndihesh i/e lumtur dhe i/e lidhur me partnerin/en, por është po aq normale të përjetosh shqetësim, hutim apo edhe faj. Këto ndjenja janë rezultat i intimitetit dhe pritshmërive që lidhen me këtë eksperiencë. Nëse ke shqetësime, bisedo me partnerin/en apo me një person të besuar.
Çfarë të bësh tani?
* Informohu më shumë për mënyrat e seksit të sigurt.
* Konsidero të flasësh me një profesionist për çdo ndjenjë apo pyetje që mund të kesh.
* Edukohu mbi dërgimin e mesazheve intime dhe rreziqet që lidhen me to.
Kontakti i parë seksual është një hap i rëndësishëm dhe është në rregull të marrësh kohën që të duhet për t’u ndierë gati.