Çfarë është “tradwife” dhe pse nuk është e njëjta gjë si të jesh një “grua shtëpiake”?

Life style

Çfarë është “tradwife” dhe pse nuk është e njëjta gjë si të jesh një “grua shtëpiake”?

Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 06:59
Foto ilustrim

Termi “tradwife” po bën namin në rrjetet sociale, por nuk duhet ngatërruar me konceptin e një gruaje shtëpiake. Nëse po mendoni për një kthim në vitet ‘50, ku gruaja kujdesej për shtëpinë ndërsa burri mbante gjithë familjen financiarisht, e keni kapur thelbin e këtij trendi. Por përse po flitet kaq shumë për këtë koncept dhe pse ai është kaq kontradiktor?

Çfarë është një “tradwife”?

Një "Tradwife" (shkurt për "traditional wife" ose grua tradicionale) i përkushtohet roleve gjinore tradicionale, ku gruaja përqendrohet te menaxhimi i shtëpisë, përkujdesja për fëmijët dhe mbështetja e burrit të saj si kryefamiljar. Me pak fjalë, ajo e sheh veten si “zonja e shtëpisë” në kuptimin e plotë të fjalës.

Sipas ekspertes së prindërimit, Meg Tibayan, “Kjo lloj jetese frymëzohet nga idetë e viteve të mesit të shekullit të 20-të dhe romantizon detyrat shtëpiake si thelbësore për përmbushjen personale të gruas.” Por ndërsa disa e shohin këtë si një kthim tek vlerat familjare, të tjerët mendojnë se ky trend kufizon të drejtat e grave dhe rikthen stereotipe të vjetra gjinore.

Si paraqitet “tradwife” në rrjetet sociale?

Në rrjetet sociale, tradwife duket si një skenë perfekte: gra të veshura me fustane të gjata, që gatuajnë ushqime të shëndetshme, përkujdesen për fëmijët në natyrë dhe mbajnë shtëpi që shkëlqen. Influencerja si @esteecwilliams e shpjegon këtë stil jetese si një zgjedhje për të qenë “e nënshtruar ndaj burrit dhe për t’i shërbyer atij.”

Por ka një kontradiktë të madhe këtu: ndonëse pretendojnë të mos punojnë, këto gra shpesh harxhojnë orë të tëra duke krijuar, edituar dhe menaxhuar përmbajtjen e tyre në rrjetet sociale. Madje, shumë prej tyre fitojnë para nga ndjekësit e shumtë që u kanë.

Pse është ky trend kaq popullor?

Një nga katalizatorët e popullaritetit të këtij trendi është Hannah Neeleman, e njohur si @ballerinafarm në Instagram. Një ish-balerinë e trajnuar në Julliard, ajo la karrierën për t’iu përkushtuar jetës familjare. Sot, ajo ka tetë fëmijë dhe menaxhon një fermë në Utah, duke ndarë momente nga “jeta perfekte” me mbi 10 milionë ndjekës.

Por prapa skenave të përmbajtjes së saj, qëndron një e vërtetë ndryshe: bashkëshorti i saj vjen nga një familje jashtëzakonisht e pasur, duke e bërë jetesën e tyre të paarritshme për shumicën e grave që tentojnë të ndjekin këtë stil.

Tradwife nuk është njësoj si të jesh një grua për shtëpi

Dallimi kryesor midis një tradwife dhe një nëne shtëpiake qëndron te qëllimi dhe përkushtimi ndaj roleve gjinore. Ndërsa nënat shtëpiake shpesh zgjedhin të rrinë në shtëpi për arsye praktike, si kostot e larta të kujdesit për fëmijët, tradwife përqafojnë rolet tradicionale si një bindje personale dhe filozofi jete.

Ekspertja Rachel Goldberg shton se: “Tradwife përpiqet të lartësojë një kohë kur gratë ekzistonin për të mbështetur burrat e tyre. Ky koncept shpesh injoron përparimet e rëndësishme të grave në rrugën drejt barazisë gjinore.”

Pse ky trend është kaq kontradiktor?

Shumë njerëz kritikojnë "tradwife" pasi ky trend sugjeron që gratë të jenë financiarisht të varura nga burrat e tyre. Ky realitet mund të duket në rregull nëse ke një bashkëshort ideal dhe burime të mjaftueshme financiare, por jo të gjitha gratë e kanë këtë luks.

Në një analizë të postimeve të "tradwife", Moore, një eksperte e marrëdhënieve, vëren:
“Asnjë nga videot virale nuk flet për atë se çfarë ndodh kur burri nuk është mbështetës ose kur familja përballet me vështirësi financiare. Ky stil jetese funksionon vetëm nëse burri është i mirë dhe ka mjaftueshëm para për të mbajtur familjen.”

Në fund të fundit, tradwife nuk është thjesht një kthim pas në kohë, por një debat që ngre pyetje mbi zgjedhjet personale, rolet gjinore dhe qëndrueshmërinë e një mënyre jetese të tillë në botën moderne. E përjetshme apo e përkohshme? Shumica vendos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat