Manifestimi, i njohur si procesi i krijimit të diçkaje vetëm përmes mendimit, është kthyer në një trend të përhapur, sidomos falë TikTok-ut dhe Instagram-it. Ideja që mund të "vizualizosh" suksesin ose dashurinë dhe t’i shohësh ato të materializohen tingëllon shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Dhe shpesh, ashtu është! Jo sepse manifestimi nuk ka vlerë, por sepse njerëzit shpesh e keqkuptojnë thelbin e tij.
Nëse e ke gjetur veten duke u ankuar se “manifestimi nuk po funksionon”, ka shumë gjasa të jesh duke bërë një nga këto dy gabime të zakonshme.
1. Nuk po kupton konceptin e mirëfilltë të manifestimit
Shumë njerëz e shohin manifestimin si një rrugë të shkurtër magjike për të arritur qëllimet e tyre pa bërë asnjë përpjekje. Ata që bien në këtë grackë shpesh kanë një ndjenjë kontrolli të jashtëm, pra besojnë se jeta e tyre kontrollohet nga faktorë të jashtëm, jo nga ata vetë.
Sidoqoftë, hulumtimet tregojnë se njerëzit që besojnë se ata vetë kanë kontroll mbi jetën e tyre janë më të suksesshëm dhe bëjnë zgjedhje më të shëndetshme. Për shembull, një studim zbuloi se fëmijët me një ndjenjë kontrolli të brendshëm kishin më pak probleme shëndetësore në moshë madhore, pasi kishin krijuar zakone më të mira si shmangia e ushqimeve të pashëndetshme dhe veseve të dëmshme.
Pra, manifestimi funksionon vetëm kur e kombinon me veprim të ndërgjegjshëm. Mendimet mund të të ndihmojnë të vizualizosh hapat e suksesit, por do të duhet të bësh punën për t’i ndjekur ato. Çelësi? Mos u dashuro vetëm me rezultatin, por edhe me procesin!
2. Nuk di të vendosësh qëllime të qarta
Një tjetër gabim që bëjnë njerëzit është vendosja e qëllimeve shumë të gjera ose jorealiste. Për shembull, “dua të bëhem i/e pasur” është një qëllim që tingëllon bukur, por çfarë nënkupton saktësisht? Nëse nuk di t’i përcaktosh qartë dëshirat, energjia dhe përpjekjet e tua do të shpërndahen.
Një studim i botuar në “Psychological Bulletin” tregon se njerëzit që vendosin qëllime specifike dhe sfiduese kanë më shumë gjasa të kenë sukses. Pse? Sepse qëllimet e qarta dhe të matshme rrisin përkushtimin dhe motivimin.
Në vend që të “manifestosh pasuri,” provo të krijosh një qëllim SMART:
Specifik: Çfarë do të thotë pasuri për ty?
I matshëm: Sa të ardhura dëshiron të arrish?
I arritshëm: A është një qëllim realist për situatën tënde aktuale?
I rëndësishëm: Pse dëshiron ta arrish këtë qëllim?
I kufizuar në kohë (time-bound): Cili është afati për ta realizuar?
Kjo strategji nuk vetëm që të ndihmon të përqendrohesh, por të shtyn të ndërmarrësh hapa konkretë për t’iu afruar qëllimit tënd.
Manifestimi nuk është vetëm një proces i të menduarit të ëndrrave të bukura dhe pritjes që ato të ndodhin. Është një mjet i rëndësishëm për të qartësuar qëllimet dhe për të frymëzuar veprime konkrete.
Mos e ngatërro me një trend që kërkon zero përpjekje. Vizualizo, planifiko dhe puno - vetëm kështu kthen mendimet në realitet. Përndryshe, manifestimi yt do të mbetet vetëm një poster motivues në mendjen tënde.