A ndiheni sikur marrëdhënia juaj ju ndihmon të bëheni versioni më i mirë i vetes? Ashtu si dora e "Michelangelos" që krijon bukuri nga guri, partnerët e afërt “formojnë njëri-tjetrin, duke ndikuar te aftësitë dhe tiparet e njëri-tjetrit dhe duke nxitur apo penguar realizimin e qëllimeve të tyre.” Ky proces njihet si fenomeni "Michelangelo".
Në marrëdhënie të tilla, partnerët ndihmojnë njëri-tjetrin të zhvillohen nëpërmjet mbështetjes dhe afirmimeve pozitive, duke i sjellë më afër versionit të tyre ideal. Nëse po pyesni veten nëse partneri juaj po ndikon në rritjen tuaj personale, këto janë dy shenjat kryesore që e tregojnë këtë:
1. Ndiheni të mbështetur në çdo hap
Një nga treguesit më të qartë të fenomenit “Michelangelo” është një partner që mbështet sinqerisht dhe thellësisht qëllimet dhe ëndrrat tuaja, duke dëshiruar që të lulëzoni në çdo aspekt.
Marrëdhëniet mbështetëse ndikojnë në mënyrë të ndjeshme te rritja personale. Ato ofrojnë siguri emocionale, ulin ankthin dhe forcojnë vetëbesimin, duke shtuar bindjen në aftësitë personale. Kjo ndihmon që individët të përballojnë sfida të reja dhe të mos heqin dorë nga qëllimet e tyre.
Një person të besuar që ofron strehë emocionale - i inkurajon njerëzit të dalin nga zona e tyre e rehatisë, të përqafojnë rritjen personale dhe të kapërcejnë pengesat më me lehtësi. Madje, edhe një kujtesë e thjeshtë për një partner mbështetës mund të jetë thellësisht motivuese.
Individët që kujtojnë partnerin e tyre mbështetës kanë më shumë gjasa të zgjedhin punë që favorizojnë rritjen personale sesa ato që ofrojnë paga më të larta. Ky vetëbesim që krijohet nga një marrëdhënie mbështetëse ndikon në mënyrë të gjerë te vendimet dhe aspiratat tona.
Në një marrëdhënie të karakterizuar nga fenomeni “Michelangelo”, mbështetja dhe respekti i partnerit është një forcë transformuese që ju pasqyron më të mirën e vetes. Kur partneri juaj feston pikat tuaja të forta dhe arritjet, ai ju ndihmon të përvetësoni këto aspekte pozitive të vetes.
“Martesa me gruan time po më formëson si person dhe si individ që po bëhem. Ajo po më ndihmon të realizoj ëndrrat, ambiciet dhe qëllimet e mia; po më jep një kuptim më të thellë të dashurisë,” thotë Dave, një pjesëmarrës i një studimi të vitit 2015 mbi ndikimin e martesës në identitetin personal.
Në thelb, një partner që sheh më të mirën tek ju dhe ju mbështet pa kushte është një dhuratë e pazëvendësueshme.
2. Ndiheni më pranë versionit tuaj ideal
Një tjetër shenjë e fuqishme e fenomenit “Michelangelo” është ndjenja se po i afroheni versionit tuaj ideal. Në disa raste, njerëzit raportojnë se ndihen “më shumë vetvetja” në marrëdhënie sesa më parë.
Të qenit më i përafërt me versionin tonë ideal përmirëson mirëqenien tonë. Ky rrugëtim mund të përfshijë lënien pas të pasigurive të vjetra, fitimin e perspektivave të reja dhe përqafimin e cilësive apo ambicieve që nuk i kishit eksploruar më parë.
Marrëdhëniet që bazohen te fenomeni “Michelangelo” nuk krijojnë personalitete të reja, por zbulojnë dimensionet më të plota dhe më të pasura të asaj që jemi dhe asaj që aspirojmë të bëhemi.
Nëse marrëdhënia juaj ofron mbështetje të palëkundur dhe ju ndihmon të ndiheni si versioni më i mirë i vetes, vlerësojeni atë si një bekim. Merreni si një ftesë për të vazhduar eksplorimin e potencialit tuaj dhe për të nxitur të njëjtën rritje te partneri juaj - duke u bërë versionet më të mira të vetes, së bashku.