Sekrete bukurie para festave

Life style

Sekrete bukurie para festave

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 00:01
Foto ilustrim

Në këtë prag festash, shumica e femrave po mendojnë për grimin që do të përdorin, për ngjyrat më në modë, për produktet më të mira. Për të qenë në formë të shkëlqyer filloni menjëherë të kujdeseni për bukurinë. Kujdesuni për fytyrën, trupin dhe flokët. Pa harruar për grimin rrezëllitës, që do t’ju bëjë të veçanta në festat e fundvitit. Kemi përzgjedhur këshillat e katër ekspertëve të bukurisë dhe mirëqenies, që të shkëlqeni, pa qenë e nevojshme të shkoni në qendra estetike.

Fytyra

Keni problem rrathët poshtë syve? Përgjigjet: Liliya Blagova estetiste e specializuar në trajtimet e fytyrës. Në mungesë të maskës profesionale, vini dy bustina çaji në frigorifer dhe kur të jenë ftohur, shtrihuni në shtrat dhe vendosini mbi sy. Pas dhjetë minutash do të keni shikim të çlodhur. Më pas vendosni krem në konturet e syve e mbi mollëza dhe fërkojini lehtë me gishta në sens orar. Në fund, para se të grimoheni: lyeni me krem hidratant këtë zonë delikate, i cili do t’i japë shkëlqim shikimit. Efekti final do të jetë spektakolar.

Grimi

Si të nxirrni në pah shikimin me grim? Përgjigjet: Rossella Semeraro, grimiore e VIP-ave. Hijet rozë, lejla dhe gri shkojnë për sytë në ngjyrë të hapur. Nëse jeni të lodhura dhe keni sy të skuqur, evitojeni ngjyrën rozë dhe preferoni tonet neutrale apo bezhë. Mos harroni asnjëherë të vendosni rimel. Nëse doni të bëni një grim me hije, i cili është shumë në modë në këtë stinë, por nuk keni produkt krem, veproni në këtë mënyrë: merrni pak hije të errët dhe përziejeni me pak shkëlqyes buzësh. Kremi që do të përftoni do të jenë perfekt për të krijuar një shikim joshës dhe në modë.

Trupi

Para trajtimeve të trupit duhet të bëni dush të ngrohtë? Përgjigjet: Antonio Petriccione, ekspert muskolo-skeletik dhe psikomatik. Dushi shërben për të larguar tendosjet e mundshme muskulare, qetëson psikologjikisht dhe përgatit lëkurën për të përthithur më në thellësi trajtimet me kremra. Çfarë duhet të bëni që ndiheni sikur jeni duke u trajtuar në një SPA? Hidhni në vaskë një sasi të vogël rrënjë xhinxheri të grirë dhe thithni aromën. Është një qetësues i shkëlqyer që ndihmon në zbutjen e dhimbjeve ose provoni majdanoz apo finokë të freskët, që kanë cilësi freskuese dhe pastruese. Mos harroni të lyheni me krem trupi, duke filluar nga poshtë-lart, me lëvizje gjysmërrethore, duke sinkronizuar frymëmarrjen me ritmin e duarve. Do të jetë një moment i vërtetë relaksi.

Flokët

Si të veproni kur ju mungon balsami i flokëve? Përgjigjet: Andrea Croci, hair stylist. Mos kini frikë. Shkoni në kuzhinë dhe përgatisni një maskë, të cilën gjyshet tona e përdornin kur nuk kishte produkte që tani i gjejmë lehtësisht në treg. Në një tas përzieni disa lugë vaj ulliri dhe një kokërr vezë. Vendoseni në flokë dhe lëreni për rreth 15 minuta para se të shpëlani kokën. Flokët do të jenë më të fortë dhe të shndritshëm. Në rast se nuk keni kohën e nevojshme për t’u larë, mjafton të fërkoni flokët për disa minuta me një shall mëndafshi. Si me magji, flokët do të shkëlqejnë në çast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat