Kur zemra mbushet me mirësi

Life style

Kur zemra mbushet me mirësi

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Festat e fundvitit na bëjnë më të ndjeshëm, më të gëzuar dhe pa dyshim më humanë. Dhe a e keni vënë re se, sa herë i japim dorën dikujt ndihemi më të çlirët; sa herë e këshillojmë dikë që t’ia dalë mbanë, se ka gjithmonë mundësi, edhe vetë bëhemi më pozitiv.

Po kaq të lehtësuar ndihemi kur ndihmojmë dikë në nevojë me qindarkat e fundit që na kanë mbetur në xhep, a qoftë duke i shërbyer një vakt të munguar. Dhe kaq duhet për t’u gjendur brenda një bote të mëshirshme.

Gjithmonë ka ekzistuar kjo ndjesi. Dhe kishte nga ata që e bënin publike humanizmin e tyre siç kishte plot të tjerë, që këtë akt sublim e bënin në heshtje. Kjo e fundit ndoshta më ka pëlqyer më shumë, edhe për shkak të edukimit që kam marrë nga të parët e mi. Gjyshërit na thoshin: “Bëje të mirën, por mos e trego. Ti e bën për veten, jo për t’u dukur. Kështu vlerat qëndrojnë brenda teje, mirësia”. Sot gjërat kanë ndryshuar, bota është më e hapur. Dhe mbase është më mirë kështu. Kjo e bën më të ndjeshme ndihmesën dhe më të përhapur gjithashtu. Në raste festash, ky veprim ishte bërë si një rit, të cilit i përmbaheshim edhe ne më të vegjlit. Kujtoj kur bashkë me motrën, mbushnim trastat prej cope me ushqimet kryesore të kuzhinës, e shkonim trokisnim në dyert e atyre që i njihnim në lagje dhe që ishin nevojtarë. Në çdo kohë ka pasur familje që vareshin edhe nga një çantë e tillë për të kaluar një natë festive. Të ndihmosh dikë duhet të burojë nga shpirti dhe pa mendimin se do shpërblehesh për atë që ke bërë. Tek e fundit është si një përshpirtje që ti bën me veten dhe i je mirënjohës jetës për atë që ke arritur deri më sot.

Po sa vend zënë këto vlera në shoqëri? Gjithnjë e më shumë njohim modele që dukshëm po tregojnë sipërmarrje të guximshme në shërbim të njerëzve në nevojë. Një edukatë qytetare që shpërfaq ata individë që shpirtin e kanë të madh e mendojnë si e si t’u vijnë në ndihmë të pastrehëve, të varfërve, të uriturve. Shembuj të tillë bëhen publikë dita-ditës dhe kjo është një e mirë që, si normë shoqërore, meriton vëmendjen e duhur. Përse jetojmë dhe frymojmë? Për shumëkënd, jo thjesht për të ngrënë mirë e për t’u veshur bukur. Këto gjithmonë mjaftojnë. Të tjera cilësi e bëjnë njeriun të vlefshëm në shoqëri!

Mesazhe ka pa fund për të dhënë. Dhe njëra prej tyre, ndoshta nga më të rëndësishmet, është se e mira duhet të na shoqërojë në udhën e jetës. T’u falemi vlerave e të bëhemi ndjekëse të tyre. Bashkërisht bëhemi një forcë përçuese e këtyre vlerave që, në mënyrë të ndërsjellë, i transmetojmë ndër breza. Faleminderit në këtë rast lexuesve që na ndjekin në udhën tonë. Gëzuar e mbarësi në jetët tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat