Nata e ndërrimit të viteve festohet në gjithë planetin dhe është një festë që bën bashkë anëtarët e familjes dhe njerëzit më të dashur.
Njerëzit, në anë të ndryshme të botës festojnë këtë natë me mënyra të ndryshme, por të gjithë besojnë se dëshirat e tyre do të realizohen në vitin që pason.
Ndryshe nga vendet e tjera të botës, apo edhe mes fqinjëve, nata e vitit të ri tek Shqiptarët festohet ndryshe. Ka disa tradita të cilat na dallojnë nga të tjerët dhe ku merr kuptim fjala ‘shqiptarët’.
Tryeza plot me ushqime, veçanërisht mish
Edhe pse çdo ditë nuk konsumojmë shumë ushqime, natën e vitit të ri, tryeza duhet të jetë e mbushur plot e përplot. Nuk mjafton nëse gjeli i detit ndodhet mbi tryezë, pasi kryefamiljari ka blerë edhe dy-tre lloje të tjera mishi që në fund të fundit, askush nuk i prek.
Bakllava
Ëmbëlsira me e preferuar e tryezës përgatitet shumë ditë para festës. Disa zonja ende preferojnë ta gatuajnë vetë, disa të tjera ua besojnë furrave.
Pijet
Në tryezë nuk mungon asnjë marke alkooli, pije me gaz, pa gaz apo energjike. Nuk ka rëndësi nëse do të pihen apo jo, e rëndësishme të jene aty.
Superpastrimi i shtëpisë
Çdo cep shtëpie, dhomat, çdo orendi duhet pastruar. Viti i ri duhet të gjejë çdo shtëpi të pastër. Është e pastër dhe s’ka nevojë? Do të ripastrohet sërish. Nuk ka dyshime për këtë!
Luftë fishekzjarrësh
Nga dritaret, ballkonet e kudo të munden, shqiptarët do tregojnë me padurim arsenalin e pafundmë të fishekzjarrëve në shtëpi. Ishin më të bukura ato të fqinjëve? S’ka problem, në 1 janar rihedhim sërish.
Leku në byrek
Një tjetër traditë, byreku me lekun e fshehur. Kureshtja vijon. Kujt do ti bjeri këtë vit? Me shtrenjtësimin e jetesës dilema bëhet me e madhe. Çfarë shume do të marrim në këmbim të lekut? Momente sa argëtuese e qesharake që i shtojnë gëzim tryezës familjare.
Festa
Tani më, dihet nga të gjithë. Deri para mesnate me familjen, pas mesnate me shoqërinë. Mëngjesi? Nuk dihet ku na gjen.
Kush do të hyjë i pari në shtëpi?
Thonë që kur të hyn një djalë i vogël në shtëpi, viti do të shkojë mbarë. Akoma më shumë, shqetësimi më i rëndësishëm; të hyj me këmbën e djathtë. Një traditë që vështirë të zbehet.